Havva Kara Aydın
27 tetor 2020•Përditësim: 27 tetor 2020
Turqia dhe Greqia kanë anuluar në mënyrë reciproke stërvitjet ushtarake të caktuara në fillim të këtij muaji nga Ankaraja për këtë të mërkurë, 28 tetor dhe nga Athina për të enjten, 29 tetor, sipas burimeve turke të sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Si një lëvizje dhe gjest i vullnetit të mirë, Turqia të hënën revokoi alarmin e saj detar Navtex për stërvitjet e planifikuara ushtarake në Mesdhe për të treguar gatishmërinë e saj për të zgjidhur problemet në Mesdheun Lindor dhe Egje me dialog, thanë burimet, në kushte anonime.
Vendimet e të dyja vendeve erdhën pas propozimit të ministrit turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar, në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s të shtunën, thuhet më tej, duke shtuar se zyrtari i lartë i aleancës, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg dhe ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikolaos Panagiotopulos, mbështetën ofertën.
Akar shkroi në Twitter se Turqia ishte në favor të dialogut, negociatave, ligjit ndërkombëtar dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Turqia është e vendosur të mbrojë të drejtat dhe interesat e vendit, shtoi ai.
Navtex është një sistem i komunikimit detar që lejon anijet të informojnë anijet e tjera për praninë e tyre në një zonë, si dhe informacione të tjera.
Mes tensioneve midis Turqisë dhe Greqisë në Mesdheun Lindor, më 8 tetor Greqia lëshoi një alarm se do të mbante stërvitje detare në festën kombëtare të Ditës së Republikës së Turqisë, e cila dukej si një provokim i qëllimshëm.
Pasi Greqia lëshoi alarmin e saj për 29 tetor, Turqia si përgjigje lëshoi alarmin e saj të Navtex për stërvitjet për një ditë më parë, më 28 tetor.
Tensionet janë përshkallëzuar kohët e fundit në lidhje me çështjen e kërkimit të energjisë në Mesdheun Lindor.
Greqia ka kontestuar eksplorimin e energjisë së Turqisë, duke u përpjekur të kufizojë territorin detar turk bazuar në ishujt e vegjël pranë bregdetit turk.
Turqia, vendi me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, ka dërguar anije kërkimore për të kërkuar energji në shelfin e saj kontinental, duke thënë se Turqia dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) gjithashtu kanë të drejta në rajon.