Didar Yüsra Dilruba Öz
06 Dhjetor 2016•Përditësim: 06 Dhjetor 2016
DIYARBAKIR (AA) – Policia turke nën akuzën për terrorizëm ka arrestuar sot në mëngjes dy prefektë në provincën juglindore turke të Diyarbakirit, raporton Anadolu Agency (AA).
Prefekti i qarkut Kayapinar të Diyarbakirit, Mehmet Ali Aydin dhe prefekti i Yenisehir Selim Kurbanoglu janë arrestuar si pjesë e hetimit lidhur me terrorizëm, theksuan burime të sigurisë.
Prokurori publik i Diyarbakirit dha urdhër për arrestimin e dy prefektëve, të cilët janë edhe anëtarë të Partisë Demokratike të Rajoneve të Turqisë (DBP).
Policia e anti-terrorit arrestoi prefektët në shtëpitë e tyre nën akuzat se kanë qenë "anëtarë të organizatës terroriste” dhe “propagandë të terrorit”, bënë të ditur burime të sigurisë, të cilat folën në kushte anonime.
Kërkimi policor i zyrave kryesore komunale të zonës vazhdon. Në muajin tetor, bashkë-prefektët e DBP-së në Diyarbakir, qyteti më i madh në juglindje të Turqisë, u arrestuan dhe u burgosën në pritje të gjyqit për akuza terrorizmi.
PKK-ja, e cila është në listën e organizatave terroriste të Turqisë, SHBA-ve dhe BE-së, rifilloi fushatën e saj të armatosur në korrik të vitit të kaluar. Që atëherë, mbi 300 civilë dhe afër 800 forca të sigurisë kanë rënë dëshmorë. Rreth 8.000 terroristë janë vrarë ose arrestuar.