İsmet Karakaş
04 Shkurt 2022•Përditësim: 05 Shkurt 2022
Turqia neutralizoi të paktën 47 terroristë në janar, tha sot zëvendësministri i Brendshëm i vendit, Ismail Çatakli, raporton Anadolu Agency (AA).
Çatakli informoi gazetarët në kryeqytetin Ankara mbi operacionet e vazhdueshme anti-terroriste.
"Gjithsej 13 terroristë iu dorëzuan forcave turke të sigurisë në operacionet e kryera në janar dhe të paktën 5 sulme terroriste u penguan", tha ai.
Nga terroristët e neutralizuar, 38 i përkisnin organizatës terroriste PKK ndërsa të tjerët ishin nga organizatat e majta ekstreme dhe DEASH-it, shtoi ai.
Duke dhënë detaje të mëtejshme, ministri Çatakli tha se 7.795 operacione janë kryer në zonat rurale ndërsa 1.315 në qendrat urbane.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e vendosur si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.
Migrantët
Duke iu referuar 19 migrantëve të parregullt, të cilët u shtynë nga Greqia në Turqi dhe përfundimisht u ngrinë deri në vdekje, Çatakli tha se incidenti është një simbol i apatisë së botës për këtë çështje.
“Ajo që ngriu atje nuk ishin vetëm migrantët, por edhe vlerat evropiane dhe humanizmi”, tha ai.
Çatakli përsëriti gjithashtu se Greqia shkel sistematikisht ligjin ndërkombëtar dhe ndjek një politikë çnjerëzore në lidhje me migrimin e parregullt.
"BE, duke anashkaluar politikat e Greqisë, u bë bashkëfajtore në krimet e saj kundër njerëzimit", shtoi ai.
Trupat e pajetë të gjithsej 11 emigrantëve të parregullt u gjetën të mërkurën në provincën Edirne të Turqisë veriperëndimore, e cila kufizohet me Greqinë. Një tjetër vdiq më vonë në një spital.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu tha se migrantëve të parregullt iu hoqën rrobat dhe këpucët nga njësitë kufitare greke, të cilët më pas i shtynë përsëri në territorin turk.
Të nesërmen, 7 migrantë të tjerë të parregullt u gjetën të vdekur në të njëjtin rajon, duke e çuar numrin e të vdekurve në 19.
Greqia, nga ana e saj, argumentoi se deklaratat e autoriteteve turke ishin pretendime të pabaza dhe pretendoi se migrantët e parregullt "nuk arritën kurrë deri në kufirin (grek)".