Diyar Güldoğan
04 Dhjetor 2016•Përditësim: 05 Dhjetor 2016
ADANA (AA) – Gjykata kompetente turke lëshoi një urdhër për mbajtjen në paraburgim të katër personave në kuadër të hetimit për zjarrin e javës së kaluar në konviktin e femrave në provincën jugore Adana të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Një burim anonim për AA, tha se në mesin e të dyshuarve që janë mbajtur në paraburgim është edhe Drejtori i konviktit "Cumali Genc" dhe kreu i fondacionit që menaxhonte me konviktin Ismail U.
Burimi i njëjtë tha se dy persona janë liruar me masën e ndalimit sipas vendimit të gjykatës deri në përfundim të procesit hetimor.
Prokurori i shtetit në provincën turke Adana Ali Yelden më parë deklaroi se në kuadër të hetimeve për zjarrin, janë ndaluar udhëheqësit dhe edukatorët e konviktit në rrethin Aladağ në të cilin të martën në mbrëmje shpërtheu zjarri në të cilin humbën jetën një mësuese dhe 11 nxënës.
Zv/kryeministri i Turqisë Veysi Kaynak gjatë një vizite në konvikt, tha se nga rezultatet paraprake të hetimit del se zjarri ka shpërthyer për shkak të një defekti në instalimet elektrike.