Ekip
16 Gusht 2017•Përditësim: 17 Gusht 2017
MOGADISHU (AA) - Një aeroplan mallrash i ngarkuar me mbi 60 ton ndihma ushqimore mbërriti në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, të martën, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndihma ushqimore e radhës është për fëmijët somalezë që jetojnë në vendin e goditur nga thatësira, ku gjysma e popullsisë përballet me një krizë humanitare, sipas OKB-së.
"Ne sollëm në Somali një tjetër ndihmë ushqimore prej 60 tonësh (#TurkishAirlinesHelpSomalia #LoveArmyForSomalia)", ka shkruar Turkish Airlines në Twitter, duke iu referuar fushatës së nisur nga personat me ndikim në mediat sociale dhe aktorit të Hollivudit Ben Stiller, të cilët kërkuan nga kompania ajrore që të transportojë donacione në këtë vend.
Abdikarin Asair, drejtor i Komitetit Amerikan të Refugjatëve në Somali, u tha gazetarëve se ndihmat do ti shpërndajnë në 12 vende në Somali në ditët në vijim. "Roli i kompanisë ishte të dërgojë ushqime në Somali, por ndihma vjen nga një grup humanitar i quajtur 'LoveArmyForSomalia'. Falënderojmë qeverinë turke dhe popullin e saj për përpjekjet e tyre për shpëtim të jetëve në Somali", ka thënë Asair.
Në prill të këtij viti, në Mogadishu arriti një aeroplan mallrash i Turkish Airlines që mbante mbi 60 ton ndihma ushqimore dhe pajisje mjekësore. Që nga viti 2011, Turkish Airlines ka qenë i transportuesi i vetëm ajror ndërkombëtar që u angazhua për Somalinë.