Gökhan Ergöçün
21 Nëntor 2018•Përditësim: 21 Nëntor 2018
STAMBOLL (AA) - Në Stamboll filloi Panairi i 17-të i Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur (MUSIAD), në të cilin Anadolu Agency (AA) është partneri global i komunikimit.
Në panairin katërditor MUSIAD Expo marrin pjesë përfaqësues të kompanive, biznesmenë, akademikë, gazetarë, organizata joqeveritare dhe politikanë.
Si pjesë e panairit, nën kujdesin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, do të mbahen edhe Kongresi i 22-të vjetor i Forumit Ndërkombëtar të Biznesit (IBF), "Port High-Tech", eveniment i teknologjisë së lartë dhe industrisë së mbrojtjes, dhe Kongresi Ndërkombëtar i Biznesmenëve të Rinj (UGIK).
Në fjalën e hapjes, ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, tha se në këtë kohë kur luftrat tregtare janë aktualizuar, Turqia kërkon bashkëpunim të ri në të cilin përfitojnë dy palë.
"Në luftërat tregtare nuk ka fitues", tha Varank, duke shtuar se Turqia nuk mund të ulet dhe të shikojë gjersa pritjet e rritjes për vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim bien për shkak të pasigurisë rreth tregtisë.
"Një përpjekje kolektive është e nevojshme për të ringjallur tregtinë dhe prodhimin", tha Varank.
Turqia tejkaloi një goditje të vështirë në muajin gusht, gjatë të cilit ekonomia e saj u vu në shënjestër nga lëkundjet e jashtme që dëmtuan kurset e këmbimit valutor, tha ai.
Më herët këtë muaj, Shtetet e Bashkuara hoqën sanksionet ndaj dy ministrave të kabinetit turk të vendosura në shtator lidhur me rastin e pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili u gjykua në Turqi për terrorizëm. Pastori u lirua muajin e kaluar.
Këtë javë, lira turke u rikthye në një nivel prej 5,3 ndaj dollarit amerikan.
Turqia me shpejtësi mori masa të bazuara në rezultate për të kufizuar ndikimin e sanksioneve në ekonominë turke, nënvizoi Varank.
Ministri turk tha se Turqia së shpejti do të shpallë një program indigjenizimi për të ulur deficitin e llogarisë rrjedhëse dhe produktet e vlerës së shtuar të eksportit.
"Dyert e programit janë të hapura për investitorët e huaj, çdo kompani që ka investuar në Turqi, pa i dalluar ata nga kompanitë turke", tha ai.
Në tetor të këtij viti, Turqia u rendit e 17-ta, duke u ngritur nga pozita e 43-të, në Indeksin e Lehtësisë së Bërjes së Biznesit të Bankës Botërore, tha Varank.
"Krijimi i një ambienti miqësor për investitorët është një nga prioritetet e qeverisë sonë, në një kohë kur proteksionizmi është intensifikuar në ekonominë botërore", theksoi ai.
"Rruga drejt suksesit është nëpërmjet bashkëpunimit", shtoi Varank.
Ndërkohë, Abdurrahman Kaan, kryetari i MUSIAD, tha se në panair marrin pjesë mbi 8.000 njerëz nga mbi 100 vende, përfshirë Gjermaninë, Hollandën, Francën, Kinën, Malajzinë, Pakistanin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Nigerinë dhe Angolën.
"Parimi ynë thelbësor është të rritemi dhe të fitojmë së bashku dhe të rritet tregtia me diplomaci dhe miqësi", vuri në dukje Kaan.