Shoferi i ekskavatorit mbulohet nga një ortek në Türkiye
Ngjarja ka ndodhur teksa ekipet e Administratës Speciale Provinciale po punonin për të pastruar rrugën që të çon në fshatin Gökçe të rrethit Beytüşşebap, e cila ishte e bllokuar për shkak të reshjeve të mëdha të borës

Şırnak
Një ortek në Şırnak të Türkiyes juglindore ka goditur një ekskavator, i cili po përdorej në përpjekjet për heqjen e borës në rajon, raporton Anadolu.
Ngjarja ka ndodhur teksa ekipet e Administratës Speciale Provinciale po punonin për të pastruar rrugën që të çon në fshatin Gökçe të rrethit Beytüşşebap, e cila ishte e bllokuar për shkak të reshjeve të mëdha të borës.
Në atë kohë, orteku goditi ekskavatorin, shoferi i të cilit me celular regjistroi momentin e ortekut që goditi mjetin që ai përdorte për të pastruar borën.
“Mjeti ka ngecur plotësisht në dëborë. Nuk mund të lëviz fare. Mund të marr frymë, falënderoj o Allah. Unë nuk mund të lëviz”, shihet në pamje duke thënë shoferi.
Me marrjen e alarmit, në vendngjarje u dërguan makineri shtesë për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit.
Ekipet e shpëtimit arritën te shoferi, i cili ishte bllokuar brenda ekskavatorit dhe e nxorën shëndoshë e mirë.
Shoferi u transportua më pas në Spitalin Shtetëror në Beytüşşebap, ku mjekët konfirmuan se gjendja e tij është e qëndrueshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.