Meltem Bulur
30 Janar 2017•Përditësim: 30 Janar 2017
ANKARA (AA) - Ambasada e Turqisë në Tripoli të Libisë sot ka rinisur punët me numrin minimal të personelit të nevojshëm, pasi paraprakisht Turqia e kishte evakuuar personelin në vitin 2014 për shkak të përkeqësimit të gjendjes së sigurisë në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Turqisë rikujtohet se procesi për rihapjen e ambasadës turke në Tripoli kishte filluar gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu në Tripoli më 30 maj të vitit të kaluar.
Në deklaratë thuhet se përgatitjet për rihapjen e ambasadës janë mbikëqyrur nga ambasadori turk në Tripoli Ahmed Aydın Doğan, që deri më sot punimet i ka vazhduar në Tunizi.
Në deklaratë më tej thuhet: "Në kuadër të kësaj, sot filluan aktivitetet e ambasadës sonë me numër minimal të personelit të nevojshëm. Ndërkaq, përmes Kryekonsullatës në Misurata e cila ka vazhduar punimet pa ndërprerje deri më sot dhe përmes rihapjes së ambasadës sonë në Tripoli, Turqia do ta forcojë praninë në Libi".
"Rinisja e aktiviteteve të ambasadës sonë, që është pjesë e lidhjes sonë historike, vëllazërore dhe miqësore me Libinë dhe e qasjes sonë të hapur ndaj të gjithë popullit të Libisë, do të japë kontribut për të siguruar mbështetje në përpjekjet e vendit tonë për rindërtimin e paqes dhe stabilitetit në Libi. Turqia do ta vazhdojë kontributin për hapat e ndërmarrë në drejtim të paqes dhe pajtimit në bazë të Marrëveshjes Politike të Libisë dhe do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm integritetin territorial dhe unitetin kombëtar të Libisë', thuhet ndër të tjera në deklaratë.