İlkay Güder
22 Dhjetor 2017•Përditësim: 22 Dhjetor 2017
ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan do të realizojë vizita zyrtare në Sudan, Çad dhe Tunizi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Zyra për Shtyp e Presidencës së Turqisë thuhet se presidenti Erdoğan mes datave 24-27 dhjetor do të realizojë vizita zyrtare në Sudan, Çad dhe Tunizi.
Në takimet që do të realizohen në tre shtetet, me të cilat Turqia ka marrëdhënie të thella historike dhe kulturore, do të diskutohet për të gjitha aspektet e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh. Po ashtu bëhet e ditur se gjatë këtyre takimeve do të bëhet shkëmbimi i mendimeve për zhvillimet ndërkombëtare.
Në deklaratë njoftohet se në kuadër të vizitës së presidentit Erdoğan planifikohet që të nënshkruhen edhe marrëveshje bashëpunimi në fusha të ndryshme.
Vizita e parë në nivel presidencial
Në deklaratë thuhet se këto vizita, të cilat kanë cilësinë e vazhdimësisë së vizitave të viteve të mëparshme në shtetet e Afrikës të presidentit Erdoğan, janë tregues konkret të vullnetit për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të Politikës së Partneritetit me Afrikën.
Më tej theksohet se vizita e presidentit Erdoğan në Sudan dhe Çad ka një rëndësi historike meqë kjo është vizita e parë e realizuar nga Turqia në nivel presidencial.
Ndërsa vizita në Tunizi është vizita e parë në nivel presidencial nga Turqia që nga viti 2012.
Gjatë kësaj vizite Erdoğan do të shoqërohet nga një delegacion i gjerë që do të përbëhet nga ministra, zyrtarë tjerë dhe biznesmenë.