Zuhal Demirci
15 Janar 2019•Përditësim: 15 Janar 2019
ANKRA (AA) - Kanë filluar aplikimet për "Bursat e Turqisë 2019" të cilat ofrojnë për studentët e huaj mundësinë e arsimimit universitar, që organizohen nga Kryesia e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga YTB bëhet e ditur fillimi i aplikimeve për programin e Bursave të Turqisë për studentët e huaj që dëshirojnë të arsimohen në universitetet e përzgjedhura të Turqisë.
Turqia bashkë me njohuritë dhe përvojën e saj krahas mundësive që ofron për një arsimim në nivel ndërkombëtar ajo siguron edhe bursa për studentët ndërkombëtar që vijnë nga vende të ndryshme të botës për të studiuar në universitetet më prestigjioze të Turqisë.
Bursat e Turqisë njihen si një program bursash konkurrues, që financohen nga shteti, jepen për nxënësit e përzgjedhur në mënyrë që të vazhdohet programi arsimor i plotë ose i pjesshëm në universitetet kryesore të Turqisë.
Po ashtu Bursat e Turqisë, synojnë formimin e një rrjeti ku të jenë të përfshirë liderët e të ardhmes që premtojnë forcimin e bashkëpunimit mes vendeve dhe mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet komuniteteve.
Aplikimet për “Bursat e Turqisë 2019” do të jenë të hapura gjatë periudhës 15 janar-20 shkurt për të gjithë studentët që vijnë nga të gjitha vendet. Aplikimet që bëhen në dorë ose nëpërmjet postës nuk do të pranohen dhe gjithashtu për aplikimet nuk do të kërkohet asnjë pagesë. Në këtë program mund të aplikojnë kandidatët që dëshirojnë të marrin arsim në nivelin universitar, master dhe doktoraturë.
Studentët ndërkombëtarë në vitin 2018 zgjodhën Turqinë
Aplikimet për programet e bursave në vitin 2018 kanë arritur në 135 mijë. Aktualisht, në universitetet në qytete të ndryshme të Turqisë janë duke studiuar 17 mijë e 500 të rinj nga 160 vende të cilët kanë përfituar nga "Bursat e Turqisë" të cilat janë për studentët ndërkombëtarë nga e gjithë bota.
Falë projektit që Turqia e ka nisur në vitin 1992 si "Projekti i Madh për Studentët" dhe i cili që nga viti 2012 vazhdon si "Bursat e Turqisë" nën koordinimin e YTB, studentët nga vende të ndryshme të botës që arsimohen në Turqi pasi kthehen në vendet e tyre ata u shërbejnë edhe njerëzve të vendit të tyre, por formojnë edhe ura të miqësisë mes vendit të tyre dhe Turqisë.
Në kuadër të programit, i cili luan një rol të rëndësishëm në kualifikimin ndërkombëtar të sistemit të arsimit të lartë turk, jepen bursa çdo vit mesatarisht për 7,000 studentë.
Aplikimet për Bursat e Turqisë ku mund të përfitojnë vetëm studentët nënshtetas të vendeve të huaja mund të kryhen nëpërmjet internetit çdo vit në periudha të caktuara.
Studentët që kalojnë fazën e vlerësimit të parë pas dorëzimit të dokumenteve të nevojshme, ftohen në intervista në rreth 100 pika të ndryshme në të gjithë botën.
Të drejtën e bursës e fitojnë kandidatët që janë të suksesshëm në intervistat e kryera nga akademikë dhe personeli i ekspertëve të YTB-së. Pas mësimit të gjuhës turke nëpërmjet kurseve dy vjeçare të gjuhës, kandidatët që vijnë në Turqi më pas vendosen nëpër universitete në kuadër të preferencave që kanë kryer.
Në Bursat e Turqisë që jepen për ata që kryejnë studime në nivel universitar, master, doktoraturë dhe kërkime shkencore përfshihen nevojat e studentëve për strehim, ushqim si dhe shpenzime ditore. Po ashtu ata që janë përfitues të kësaj burse i paguhen edhe sigurimet shëndetësore përgjatë qëndrimit të tyre në Turqi.
Po ashtu studentëve u paguhet nga YTB edhe bileta e parë e ardhjes në Turqi si dhe bileta e kthimit për në vendin e tyre pas diplomimit.
Programi i Bursave të Shkencës së Historisë Fuat Sezgin
Në nderim të punës intensive që Hulumtuesi i Shkencave të Historisë Islame Prof. Dr. Fuat Sezgin ka kryer në shkencat e historisë, viti 2019 është shpallur "viti i Fuat Sezgin" dhe në kuadër të këtij viti do të organizohen shumë programe dhe ngjarje gjatë gjithë vitit. Në këtë kontekst, YTB do të fillojë programin e "bursave kërkimore të shkencave historike Fuat Sezgin" për studentët që dëshirojnë të përqendrohen në historinë e shkencës islame në fushën e shkencës së historisë.
Studentët mund të ndjekin aplikimet e tyre nëpërmjet faqes së përditësuar të internetit "www.turkiyeburslari.gov.tr".