Gökhan Balcı
03 Mars 2022•Përditësim: 03 Mars 2022
Një grup prej 32 shtetasish turq janë evakuuar nga Ukraina derisa lufta në këtë vend vazhdon, raporton Anadolu Agency (AA).
Grupi që kaloi kufirin në provincën veriperëndimore Edirne të Turqisë përfshinte një foshnjë, një punonjës të ambasadës së Ankarasë në Kiev dhe koordinatorin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Cüneyt Esmer.
"Falë Zotit, dolëm të gjallë. Megjithatë, ka një krizë të madhe humanitare, ka luftë. Njerëzit, gratë, fëmijët dhe foshnjat janë viktima, ata janë në strehimore", tha Esmer.
Ai gjithashtu theksoi se Turqia jo vetëm që po ndihmonte qytetarët e saj në Ukrainë, por gjithashtu po i shtrinte dorën e ndihmës popullit të Ukrainës dhe Azerbajxhanit.
Ahmet Çilekçi, një student, tha se ata u larguan nga Kievi një javë më parë dhe më në fund ishin në Turqi pas një udhëtimi të gjatë.
"Jemi të lumtur që jemi këtu, jemi të lirë. Zoti i ndihmoftë ata që kanë mbetur pas... Fëmijët dhe të moshuarit ishin viktima. Shpresoj se lufta do të përfundojë së shpejti dhe të shohim një Ukrainë më të bukur dhe më të lirë”, tha ai.
Ai shtoi se lufta ka shkaktuar dëme të rënda për fëmijët që jetojnë në strehimore.
“Ato ishin momente vërtet stresuese. Duam të pushojmë pasi jemi të lodhur. Për katër-pesë ditët e fundit kemi fjetur në pyll, kudo që kemi mundur”, tha Çilekçi.
Gjithashtu 47 shtetas të Azerbajxhanit të evakuuar nga Ukraina kanë hyrë në Turqi.
"Situata atje është vërtet e keqe dhe e ndërlikuar. Njerëzit po ikin, ka qenë një rrugë e gjatë. Turqia na ka ndihmuar shumë, na ka siguruar ushqim dhe nevoja të tjera", tha Mehmedov Elmeddin, një nga të evakuuarit.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, është pritur me zemërim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, ndër të tjera, duke zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.