Nilay Kar
09 Maj 2017•Përditësim: 09 Maj 2017
ANKARA (AA) - Në vend që të flasë për "shqetësimet", Turqia dëshiron të rrisë lidhjet me Bashkimin Evropian (BE), tha të martën ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian, Omer Çelik, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me rastin e shënimit të 9 Majit, Ditës së Evropës, Çelik tha se Turqia beson në vlerat dhe përfitimet e përbashkëta që kanë Bashkimi Evropian dhe Turqia.
"Në vend që të flasim për shqetësimet që kemi me fondacionet evropiane dhe vendet anëtare, ne dëshirojmë të flasim për fushat në të cilat mund të bashkëpunojmë”, tha ai për të shtuar se Turqia është e gatshme të përkrah BE-në në vështirësitë me të cilat aktualisht përballet.
"Pavarësisht turbulencave me të cilat po përballet BE-ja, ajo do të mund të mbrohet nga të njëjtat duke ju përmbajtur vlerave dhe parimeve të saj të rrënjosura thellë”, shtoi më tej Çelik.
"Megjithatë, e djathta ekstreme, e cila është forcuar nga islamofobia e shprehur dhe kundërshtimi i migracionit, është kërcënimi më i rëndësishëm për vlerat e BE”, tha ministri turk.
Sipas tij, Turqia që nga fillimi ka bërë të qartë se Evropa do të duhet të distancohet nga frika e pabazuar dhe paragjykimi që ka, sepse të njëjtat e pengojnë zhvillimin e saj.