Jeyhun Aliyev
09 Shtator 2019•Përditësim: 09 Shtator 2019
Pala qipriote greke duhet të "mësojë të ndajë" në Mesdheun Lindor, tha të dielën kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë takimit të tij me qytetarët qipriotë turq në rajonin Yeni Erenkoy të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), ministri i Jashtëm turk Çavuşoğlu tha se askush nuk mund të ndërhyjë në aktivitetet e Turqisë në Mesdheun Lindor.
Ai tha se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit turk qipriot "pa asnjë hezitim dhe pa kompromentuar asgjë".
Çavuşoğlu përsëriti se pala qipriote turke kishte propozuar krijimin e një komiteti të përbashkët "pjesëmarrës, të drejtë dhe të orientuar drejt zgjidhjes" me palën qipriote greke, duke shtuar se administrata greke e kishte refuzuar atë.
"Ne duam t'i paralajmërojmë ata nga këtu se askush, pavarësisht nëse BE-ja, Greqia, apo kushdo që ju mbështet, nuk mund dhe nuk do të ndërhyjë në veprimtaritë tona këtu. Ajo që duhet të bëni këtu është të mësoni të ndani", tha ai.
Ministri theksoi se për 60 vite nuk mund të gjendet një zgjidhje për çështjen e Qipros, pasi qipriotët grekë "nuk dinë të ndajnë", duke shtuar se qipriotët turq dhe Turqia kërkojnë një zgjidhje.
"Si Turqi, ne do të vazhdojmë të rrisim kontributin tonë maksimal për të forcuar ekonominë e TRNC-së", shtoi ai.
Turqia ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme shpimin e njëanshëm të administratës qipriote greke në Mesdheun Lindor, duke pohuar se TRNC gjithashtu ka të drejta për burimet në zonë.
Që nga pranvera e këtij viti, Ankaraja ka dërguar dy anije shpuese, "Fatih" dhe "Yavuz", në Mesdheun Lindor, duke pohuar të drejtën e Turqisë dhe TRNC për burimet në këtë rajon.
Anija e parë sizmike e Turqisë, "Barbaros Hayreddin Paşa" e blerë nga Norvegjia në vitin 2013, po kryen eksplorime në Mesdhe që prej prillit 2017.
Athina dhe grekët qipriotë kanë kundërshtuar këtë veprim, duke kërcënuar se do të arrestojnë ekuipazhin e anijeve dhe duke kërkuar që udhëheqësit e BE-së t'u bashkohen kritikave të tyre.
Në vitin 1974, pas një grushti shteti që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankaraja u detyrua të ndërhynte si një fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua TRNC.
Dekada të tëra që nga ajo kohë u bënë përpjekje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, por të gjitha përfunduan me dështim. E fundit, e zhvilluar me pjesëmarrjen e vendeve garantuese - Turqia, Greqia dhe Britania e Madhe, përfundoi në vitin 2017 në Zvicër.