Anadolu prezanton librin mbi inteligjencën artificiale dhe gazetarinë
Programi u hap me një fjalim përshëndetës nga kryetari i Bordit Drejtues dhe drejtori i përgjithshëm i Anadolu-t, Serdar Karagoz, i cili theksoi se inteligjenca artificiale sot është një nga faktorët kryesor që nxisin ndryshimet globale
Stamboll
Në selinë e agjencisë Anadolu në Stamboll është mbajtur promovimi dhe forumi në kuadër të publikimit të librit “Inteligjenca artificiale dhe drejtimet e reja të gazetarisë - Aftësia mediatike në epokën digjitale”, botuar nga AA Publikacionet, raporton Anadolu.
Programi u hap me një fjalim përshëndetës nga kryetari i Bordit Drejtues dhe drejtori i përgjithshëm i Anadolu-t, Serdar Karagoz, i cili theksoi se inteligjenca artificiale sot është një nga faktorët kryesor që nxisin ndryshimet globale.
Karagoz tha se teksa bota po ndryshon, inteligjenca artificiale është ajo që ndikon më shumë në këto ndryshime dhe kjo teknologji, theksoi ai, falë argoritmeve të fuqishëm mund të formësojë vizionin e së ardhmes më shpejt dhe më qëndrueshëm sesa vetë mënyra njerëzore e të menduarit.
Ai theksoi se luftërat e sotme janë shumë të ndryshme nga ato të 50 viteve më parë dhe shtoi se parashikohet se brenda 20 viteve bota do të përballet me forma krejt të tjera të luftërave, duke shtuar se libri me ndihmën e realitetit të zgjeruar tregon se çfarë sjell kjo periudhë e re.
Karagoz kujtoi se Anadolu shpalli vitin 2024 si “vitin e inteligjencës artificiale”.
“Po atë vit, ne thamë se mediat nuk mund të ekzistojnë më të ndara nga teknologjia. Si Anadolu, besojmë se gazetaria, raportimi dhe puna e agjencive duhet të shkojnë krah për krah me teknologjinë. Për këtë arsye krijuam kompaninë AA Teknoloji. Anadoli është 106-vjeç, por në vitin 2024 u bëmë një shtëpi mediatiko-teknologjike”, tha Karagoz.
Duke theksuar se shumë organizata mediatike përdorin në mënyrë aktive ChatGPT-në dhe modele të tjera gjuhësore të inteligjencës artificiale, Karagoz tha: “Pyetëm veten, a mund të kemi një inteligjencë artificiale gjuhësore tonën? Sot, Anadolu po punon pikërisht për këtë gjë, në bashkëpunim me Fondacionin T3”.
Më tej, ai theksoi se libri i promovuar përmban funksione inovative si QR kode dhe algoritme.
“Ne e rekomandojmë këtë libër për të gjithë ata që kërkojnë njohuri dhe perspektiva të reja. Besoj se është një kontribut i rëndësishëm në botimet në Turqi. Inteligjenca artificiale është një fushë që duhet të përparojë me të njëjtin ritëm si zhvillimi global. Ne si Anadolu përpiqemi të kapim këtë ritëm, figurativisht, flejmë me inteligjencën artificiale dhe zgjohemi me të”, tha Karagoz.
Pas fjalës së Karagoz-it, u mbajt një forum i moderuar nga Dr. Nabat Garakhanova nga Universiteti Bogazici, ku morën pjesë profesorët Bilgin Metin, Pelin Ozturk Gocmen, Baris Atiker dhe Rukiye Gulay Ozturk.
Garakhanova tha se libri është një iniciativë pionere për gazetarët që ndjekin zhvillimet globale dhe se procesi i shkrimit kërkoi përditësime të vazhdueshme për shkak të zhvillimit të shpejtë të teknologjisë së inteligjencës artificiale.
“Mënyra e leximit ka ndryshuar, sot lexojmë 250 karaktere midis dy gishtave. Prandaj e kemi konceptuar librin si një veprim akademik interaktiv”, tha ajo.
Libri përfshin QR kode dhe një ueb-version që mundëson qasje në video dhe audio përmbajtje, si dhe në pjesë që komentohen vetë nga inteligjenca artificiale.
Profesori Bilgin Metin foli për rreziqet që sjell inteligjenca artificiale, bazuar në të dhëna dhe modele, duke theksuar se inteligjenca artificiale përdoret së bashku me paragjykimet njerëzore.
“Nëse të dhënat nuk pastrohen, gabimet në to transferohen edhe në rezultatet e sistemeve të inteligjencës artificiale”, paralajmëroi ai.
Profesori Baris Atiker theksoi se imazhet e inteligjencës artificiale janë gjithnjë e më të vështira për t’u njohur.
“Më parë i dallonim, por tani jetojmë në epokën e ‘realitetit artificial’. Zgjidhja, paradoksalisht, qëndron në vetë teknologjinë e inteligjencës artificiale”, tha Atiker.
Prof. Rukiye Gulay Ozturk theksoi nevojën për balancë midis përfitimeve dhe rreziqeve të teknologjisë digjitale.
“Jetojmë në një botë personale ku bashkëveprojnë realiteti digjital dhe ai i vërtetë. Kreativiteti njerëzor mbetet i pakonkurrueshëm, reklamat më të suksesshme vazhdojnë të krijohen nga njerëzit, jo nga makinat”, tha ajo.
Prof Pelin Ozturk Gocmen foli për identitetin digjital, duke paralajmëruar se ai nuk është vetëm një gjurmë në internet, por “një shumëllojshmëri versionesh tona të formuara algoritmikisht”.
“Në hapësirën digjitale ndërtojmë një identitet kolektiv, jo individual, ndërsa algoritmat na kategorizojnë dhe formësojnë mënyrën se si na shohin të tjerët”, shtoi ajo.
- Përmbajtja dhe rëndësia e librit
Libri, i botuar nga AA Publikacionet, shqyrton se si epoka digjitale ka ndryshuar prodhimin, shpërndarjen dhe konsumin e mediave.
Ai thekson se gazetarët bashkëkohorë duhet të jenë ekspertë që kuptojnë të dhënat, algoritmet dhe implikimet etike të teknologjisë.
Ky është publikimi i parë në gazetari që përdor teknologjinë e realitetit të zgjeruar dhe lexuesit përmes QR kodeve dhe aplikacionit Artivive mund të kenë qasje në video dhe audio materiale, si dhe shtesa vizuale, duke e bërë librin një përvojë interaktive dhe jo vetëm një lexim tradicional.
Vepra gjithashtu ofron një udhërrëfyes bashkëkohor për integrimin e inteligjencës artificiale dhe etikës mediatike, si dhe për rivendosjen e besimit në gazetari.
Pjesëmarrësit në projekt janë akademikë të shumtë, duke përfshirë: Doc. dr. H. Deniz Karci - nga aftësia mediatike te ajo digjitale; doc. dr. Eda Sezerer Albayrak - Mediat digjitale dhe dezinformimi; prof. dr. Suat Gezgin dhe doc. dr. Ali Efe Irali - Media dhe psikologjia digjitale; dr. Ogul Goçmen - Identiteti digjital dhe qytetaria; prof. dr. Rukiye Gulay Ozturk - IQ, EQ, DQ: Forma të reja inteligjence; dr. Nabat Garakhanova - Aftësia AI e gazetarëve, arti digjital dhe gazetaria; prof. dr. Ergin Ergül - Të drejtat dhe përgjegjësitë digjitale; prof. dr. Pelin Ozturk Goçmen - Kultura digjitale; dr. Necati Vardar - Aftësitë gazetareske të shekullit 21; Sara Ahmad Mujali Alkufahy - Fjalori i termave mediatik.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
