Sarp Özer
30 mars 2019•Përditësim: 31 mars 2019
Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, inauguroi Qendrën e Operacioneve të Përbashkëta nga ku do të furnizohet dhe menaxhohet operacioni i mundshëm ushtarak kundër objektivave terroriste në lindje të Eufratit në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri Akar ka mbërritur në qytetin Şanlıurfa ku së bashku me shefin e shtabit gjeneralin Yaşar Güler, komandantin e forcave tokësore gjeneral Ümit Dündar, komandantin e forcave detare admiralin Adnan Özbal dhe komandantin e forcave ajrore Hasan Küçükakyüz ka kryer inspektime dhe kontrolle në njësitë kufitare.
Akar tha se Forcat e Armatosura të Turqisë janë të rëndësishme për unitetin, integritetin dhe mbijetesën e Turqisë. Pasi ka tërhequr vëmendjen në paqartësitë, konfliktet dhe paqëndrueshmërinë që përjetohen përreth Turqisë ai tha se "Lufta jonë kundër terrorit vazhdon me vendosmëri në lindje, juglindje dhe në veri të Irakut dhe Sirisë. Ne kemi luftuar terrorizmin për pothuajse 40 vjet. Unë shpresoj që me dashurinë, besimin, lutjen e kombit tonë fisnik në këtë periudhë ne do ta shpëtojmë popullin tonë nga ky problem i terrorit. Kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë".
"Me planin e operacionit ajror ‘Pençe‘ (Kthetra) të cilin e kemi nisur sot rreth orës 04.00 të mëngjesit jemi në ndjekje të terroristëve. Me operacionin e ndërmarrë tri ditë më parë të ashtuquajturit ‘krerët‘ terroristët kanë pësuar dëme të mëdha. Këto do të vazhdojnë, askush të mos ketë dyshim. Do të vazhdojnë në lindje, juglindje, apo në veri të Irakut dhe Sirisë, kudo që ata të ndodhen", tha Akar duke përmendur operacionin 'Pençe' të ndërmarrë nga Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) sot ndaj objektivave terroriste dhe strehimoreve të përdorura nga krerët e organizatës terroriste në veri të Irakut.
Ai ka folur edhe mbi objektivat terroriste në Munbixh. "Lidhur me këtë çështje na janë dhënë shumë premtime nga aleatët tanë. Por, popullit tonë i ka sosur durimi dhe kërkon që këto premtime të përmbushen sa më parë. Veprimet në lindje të Eufratit do të bëhen kur të jetë vendi dhe koha e nevojshme. Në këtë drejtim, përgatitjet, planet tona janë gati. Shpresoj t'i zbatojmë këto plane duke marrë direktivat e nevojshme nga Presidenti i Republikës në kohën e përshtatshme. Nëse premtimet nuk plotësohen, operacionet e mëparshme janë shembuj", tha Akar.
Ministri Akar edhe njëherë theksoi se objektivi i vetëm i TSK-së janë terroristët. "Kurdët janë vëllezërit tanë deri në vdekje. Dëshmorët tanë ndodhen shpinë për shpinë së bashku në varrezat e dëshmorëve në Çanakkala. Kjo duhet të dihet si e tillë", thotë ai.