Sinan Uslu
02 Nëntor 2017•Përditësim: 02 Nëntor 2017
ANKARA (AA) – Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Spanjës, Mariano Rajoy, ku u theksua "mbështetja e Turqisë për integritetin territorial të shtetit mik dhe aleat të Spanjës", raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burimet e Kryeministrisë së Turqisë, mësohet se Yıldırım zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e Spanjës, Rajoy.
Në bisedë ku u theksua mbështetja e Turqisë për integritetin territorial të Spanjës, u nënvizua se çështja e Katalonjës është çështje e brendshme e Spanjës dhe u shpreh bindja se ky problem do të zgjidhet në kuadër të Kushtetutës spanjolle.
Yıldırım dhe Rajoy gjatë bisedës kanë rënë dakord për vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ku theksohet se po zhvillohen në një nivel shumë të mirë.