TIRANË (AA) – Shqiptarët e Ballkanit, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni kanë mbështetur Kombëtaren Shqiptare të futbollit duke festuar me flamurin kombëtar dhe simbolet e përfaqësues shqiptare nëpër rrugët e Tiranës, Prishtinës, Shkupit dhe qyteteve të tjera shqiptare, raporton Anadolu Agency (AA).
Gazetari i Anadolu Agency (AA) raporton se kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është shndërruar në një arenë të vërtetë feste pas ndërprerjes së ndeshjes Serbi-Shqipëri. Kjo është konsideruar nga tifozeria shqiptare si një fitore e shumëfishte, si një fitore morale dhe historike, edhe pse pa gola. Me mijëra tifozë kanë mbushur rrugët e kryeqytetit duke valëvitur flamurin shqiptar dhe duke përshkruar rrugët e Tiranës më makina. Festa e tifozerisë shqiptare nëpër rrugët e Tiranës ka vazhduar deri në orët e vona të natës.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të sigurie për të garantuar rendin dhe qetësinë publike. Forca të shumta policore janë vendosur pranë ambasadës së Serbisë në Tiranë për të shmangur çdo incident të mundshëm. Më herët reagoi edhe Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Saimir Tahiri, ku i bëri thirrje qeverisë serbe ku kërkoi të merren urgjentisht të gjitha masat për të garantuar sigurinë lojtarëve dhe të stafit teknik të Kombëtares Shqiptare.
Gazetarët e Anadolu Agency raportojnë se atmosferës festive i janë bashkuar edhe shqiptarët në Prishtinë, duke mbushur rrugët e kryeqytetit të Kosovës. Fishekzjarrë, valëvitja e flamujve kombëtar kuqezi, këngë, brohoritje, parakalimi i makinave me sirena në të gjitha rrugët dhe brohoritje nga ballkonet dhe ndërtesat, ishin pamjet të cilat “pushtuan” Prishtinën. Edhe në Shkup mijëra tifozë të mbledhur në sheshin “Skenderbe” u shpërndan nëpër rrugët e qytetit duke festuar dhe brohoritur.