Muhammed Enes Çallı
27 Maj 2021•Përditësim: 27 Maj 2021
Klubi spanjoll i futbollit Real Madrid zyrtarisht ka njoftuar largimin e trajnerit Zinedine Zidane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim, klubi spanjoll tha se ata respektojnë vendimin e Zidane-s për t'u larguar nga Real Madridi, klub që përfundoi sezonin 2020-2021 në La Liga në vendin e dytë, dy pikë pas Atletico Madridit.
"Zidane është një nga ikonat e mëdha të Real Madridit dhe trashëgimia jonë shtrihet përtej asaj që ai ka arritur si trajner dhe lojtar në klubin tonë. Ai është i vetëdijshëm se ka një vend në zemrat e tifozëve të Real Madridit. Ai gjithmonë do të ketë një shtëpi në Real Madrid", tha klubi.
Karriera e Zidane-s si trajner në Real Madrid filloi në vitin 2016, kur ai zëvendësoi spanjollin Rafael Benitez me një kontratë dy vite e gjysmë, kur ai ishte 43-vjeçar.
Në mandatin e tij të parë, francezi udhëhoqi Real Madridin për të fituar trofetë e Ligës së Kampionëve tri herë me radhë, nga viti 2016 deri në vitin 2018.
Zidane ishte përsëri në krye të Real Madridit në muajin mars të vitit 2019, pasi që pala spanjolle pësoi disa rezultate të dobëta gjatë sezonit 2018-2019.
Pas këtij sezoni zhgënjyes, ndikimi i Zidane-s në Real Madrid ishte i menjëhershëm, duke e udhëhequr ekipin e tij për të siguruar një titull rekord të 34-të të kampionatit në sezonin 2019-2020.
I konsideruar si një nga trajnerët më të dekoruar të Real Madridit në histori, Zidane fitoi 3 trofe të Ligës së Kampionëve, dy të Kupës Botërore të Klubeve, dy të UEFA Super Kupës, dy të Super Kupës Spanjolle dhe dy trofe të La Ligës.