Erbil Başay
25 Shtator 2016•Përditësim: 26 Shtator 2016
BERLIN (AA) – Lojtari i famshëm i Gjermanisë Lukas Podolski ka thënë se është i lumtur në fanellën e ekipit turk Galatasaraj dhe se Stambolli është "qytet fantastik", ku asnjëherë nuk është ndier i pasigurt, transmeton Anadolu Agency (AA).
Podolski, i cili pas lëndimit aktualisht ndodhet në Këln për shërim, në një intervistë për gazetën gjermane "Bild" foli për planet e tij dhe rreth futbollit në përgjithësi.
"Kontrata ime me Galatasaraj-in skadon në vitin 2018 dhe nuk kam ndërmend të largohem nga klubi në të cilin kam marrëdhënie të shkëlqyeshme me tifozët. Qëllimi im është të fitoj tituj me klubin dhe të luajmë në Ligën e Kampionëve", tha ai, duke shtuar se është shëruar nga lëndimi dhe se javën e ardhshme pritet të kthehet në fushë.