Fatjon Cuka
28 Gusht 2020•Përditësim: 28 Gusht 2020
Ndeshja mes ekipit të Kukësit nga Shqipëria dhe ekipit Slavia Sofia nga Bullgaria, në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës Europa të UEFA-së ka përfunduar me rezultatin 2-1 në favor të ekipit shqiptar, ndërkohë tre ekipe shqiptare sot janë kualifikuar në raundin tjetër, raporton Anadolu Agency(AA).
Dy ekipet janë përballur në Stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në ndeshjen e luajtur pa praninë e tifozëve për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
Ekipi vendas kaloi fillimisht në avantazh në minutën e 56-të me golin e Patrick Friday, kurse Krastev nga ekipi mysafir barazoi rezultatin në minutën e 81-të.
Ekipi nga Shqipëria kaloi përsëri në avantazh në minutën e 85-të, me golin e Cooper, i cili vulosi rezultatin e ndeshjes.
Ndeshja mes ekipit shqiptar dhe ekipit bullgar u drejtua nga arbitri turk, Arda Kardeşler, ndërsa ndihmësit e tij ishin Kerem Ersoy dhe Cevdet Kömürcüoğlu, ndërsa arbitri i katërt Bahattin Şimşek.
Me këtë fitore, Kukësi kalon në raundit e dytë kualifikues, ndërkohë që në këtë raund kalon edhe ekipi tjetër shqiptar Laçi, pas fitores në penallti ndaj ekipit nga Azerbajxhani, Kesla.
Gjithashtu një tjetër ekip nga Shqipëria, Teuta, është kualifikuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës Europa, pas fitores së sotme 2-0 ndaj ekipit izraelit Beitar, ndeshje që u zhvillua në Stadiumin "Niko Dovana" në Durrës.