PRISHTINË (AA) - 22 tetori është një ditë historike për Kosovën, dita kur Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka njohur Komitetin Olimpik të Kosovës me status të përkohshëm dhe ka rekomanduar që kjo njohje të bëhet e plotë në Sesionin e ardhshëm të KON-it, në Dhjetor të këtij viti, tha për Anadolu Agency, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Memli Krasniqi.
Sipas tij, me pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në KON, është thyer izolimi i padrejtë që i është bërë sportistëve kosovarë, për më shumë se 20 vjet.
"Tani e tutje, për sportin e Kosovës, fillon një epokë e re dhe të gjithë së bashku, sportistët dhe sportistet, punëtorët sportiv dhe udhëheqësit e institucioneve sportive duhet të mendojmë vetëm për punë dhe suksese", thekson Ministri Krasniqi, i cili nuk e fsheh gëzimin e tij dhe rrëfen për çastin e madh.
Krasniqi tha se gjatë orëve të pasdites ndërkohë kur ende ishte në zyrën e tij, kishte marrë një telefonatë nga kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, i cili kërkoi ta takonte atë në zyrë.
“Sapo hyri Besimi më tha se donte të bënte një fotografi dhe unë pranova. Pasi e bëmë foton, u kthye dhe më tha: Zoti Ministër, sapo bëtë një foto me Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, të pranuar ndërkombëtarisht." Krasniqi i cili u shpreh se ky Ishte realisht emocion i madh, tha se përgatitjet për këtë finalizim, ishin intensifikuar në 5-6 javët e fundit, kur së bashku me kryetarin e KOK-ut, kanë punuar në përgatitjen e dosjes së aplikimit dhe se këtë punë e kishin bërë në mënyrë jopublike, me një konfidencialitet të madh.
Krasniqi i cili e mori përgjigjen pozitive të pranimit në 22 Tetor, vijoi duke thënë se nuk ka qenë e lehtë që sporti të bëhet prioritet në Kosovë dhe se gjatë mandatit ka pasur prioritet qendror sportin. Madje ai shprehet edhe se ka arritur të bindë edhe Kryeministrin Thaçi dhe kolegët tjerë nga kabineti qeveritar se sporti duhet të jetë prioritet.
Kjo ka rezultuar me trefishimin e buxhetit për sportin në Kosovë, me ndërtimin e infrastrukturës sportive por edhe në subvencionim të federatave të KOK-ut, sportistëve, komitetit paraolimipik dhe me ngritjen e vetëdijes për përkrahjen më të madhe institucionale në drejtim të ndërkombëtarizimit të sportit.
Krasniqi tregon se ka pasur momente të vështira, kur dukej se të gjitha dyert për sportin kosovar janë mbyllur, por, ka pasur edhe momente shumë inkurajuese, të cilat kanë motivuar për punë edhe më të madhe
“Ndër këto momente ka qenë vullneti i madh i sportistëve të Kosovës për të punuar, për të garuar në Kosovë dhe jashtë vendit. Sukseset që janë arritur, siç është suksesi i jashtëzakonshëm i Majlinda Kelmendit dhe xhudistëve tjerë të Kosovës, por edhe sukseset që ne i kemi arritur në lobimet tona për ndërkombëtarizim" flet Ministri dhe thekson se nga fillimi i procesit të ndërkombëtarizimit të sportit, qeveria dhe KOK-u kanë pasur një vizion dhe një strategji të qartë.
Me këtë rast, ai tregon se ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me Besim Hasanin, kryetarin e KOK-ut dhe se, të gjitha punët i kanë bërë bashkë, me ndihmën edhe të gjithë punëtorëve sportiv të federatave të tjera.
Në fund, ai ndjehet i lumtur që e gjithë kjo ka pasur sukses por nuk harron ta theksojë faktin se, vetëm tre vite më herët, disa prej njerëzve që tani e kanë mbështetur pranimin e KOK-ut në KON, kanë qenë absolutisht të pa interesuar për fatin e Kosovës dhe sportistëve kosovar, kanë injoruar dhe për më tepër, ishin kundërshtarë .
“Kishim përballë vetes kundërshtarë të fuqishëm, të paktën po aq të fortë sa Serbia. Por besoj që, puna ose punët që i kemi bërë pa i shikuar pozicionet që i kemi apo rëndësinë e këtyre pozicioneve në kuptimin përfaqësues, duke u munduar për ti realizuar objektivat tona, duke e ndjekur atë ëndrrën e madhe për të qenë pjesë e barabartë e garave ndërkombëtare, kemi bërë gjithçka që ka qenë e nevojshme për t’i bindur njerëzit, për t’i sensibilizuar për kushtet në të cilat jemi dhe për të drejtën në të cilën kemi besuar gjithmonë dhe siç thuhet, gur gur bëhet mur edhe ne, kemi vendosur gur pas guri, për ta ndërtuar këtë mur”.
Sipas tij, e ardhmja e sportit të Kosovës është e ndritur por duhet punuar edhe shumë në përmirësimin e kushteve për sportistët, infrastrukturën sportive dhe profesionalizimin e institucioneve sportive, në mënyrë që përfaqësimi dhe prezantimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare të jetë dinjitoz.
Dyshja Hasani-Krasniqi: Game, Set, Match
“Jemi mësuar në Kosovë me qenë rast sui generis dhe ndoshta në këtë kuptim, edhe kemi qenë sui generis, por unë kam pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, një mirëkuptim të dyanshëm me kryetarin Hasani sepse e kam respektuar para së gjithash, pozicionin e tij përfaqësues, por edhe punën e madhe të cilën ai e ka bërë në vazhdimësi edhe shumë vite para se unë të bëhesha Ministër, meqenëse ai është që nga viti 1996, kryetar i KOK-ut. Ai ka pasur kontakte edhe me ministra të tjerë para meje, ne nuk jemi njohur përpara por kemi vendosur që interesin e sportit kosovar ta nxjerrim në plan të par dhe duke u nisur nga realizimi i këtij interesi, t’i hedhim gjithë hapat e tjerë” thotë Ministri Krasniqi në lidhje me relacionin me kryetarin e KOK-ut, Besim Hasanin.
“Nëse ka një njeri që e meriton me qenë Kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, në kuptimin historik, si i pari person që e realizon ëndrën e madhe dhe këtë objektiv madhor edhe për vendin tonë, ai duhet të jetë Besim Hasani” tha në fund, ministri më i ri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Memli Krasniqi, me ardhjen e të cilit është bërë një kthesë e madhe në aspektin e ndërtimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mirëfilltë ndërmjet qeverisë dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.
Kështu, dyshja Besim Hasani dhe Memli Krasniqi, siç kishin thënë në zhargonin e tenisit, ia bëri: game-set-match.
Kosova është anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
@aa_albanian