Emre Aşıkçı
21 Korrik 2023•Përditësim: 21 Korrik 2023
Inter Miami ka nënshkruar me mbrojtësin spanjoll Jordi Alba një kontratë deri në sezonin 2024 të Ligës amerikane të futbollit MLS, me një vit shtesë opsional për vitin 2025, transmeton Anadolu.
"Jordi është lojtar i kompletuar, dinamik dhe me përvojë, të cilin ne jemi të ngazëllyer ta marrim për të vazhduar të forcojmë skuadrën tonë", ka thënë në një deklaratë shefi i futbollit dhe drejtori sportiv, Chris Henderson.
"Ai ka dëshmuar për më shumë se një dekadë se është një nga mbrojtësit më të mirë në këtë sport për shkak të qëndrueshmërisë së tij mbrojtëse dhe kapacitetit për të kontribuuar në sulm. Ne e dimë se ai do të ndihmojë Inter Miamin të arrijë objektivat e klubit këtë sezon dhe më gjerë", ka shtuar ai.
34-vjeçari më parë ka luajtur për klubet Valencia, Gimnastic dhe Barcelona.
Alba ndihmoi Barcelonën të fitojë gjashtë tituj të La Ligës, një titull të Ligës së Kampionëve të UEFA-s, një titull të Kupës së Botës për Klube të FIFA-s, shtatë tituj të Kupës së Mbretit dhe katër tituj të Superkupës.
Ai shënoi 10 herë gjatë 93 ndeshjeve të tij për Spanjën dhe fitoi trofeun e Kampionatit Evropian UEFA 2012 me ekipin kombëtar.