Alma Çekovic
13 Nëntor 2016•Përditësim: 14 Nëntor 2016
LONDËR (AA) - Ylli i londinezëve të Chelsea, Eden Hazard i cili mbron ngjyrat e kombëtares së Belgjikës, pas një dëmtimi të Vincent Kompany ka marrë shiritin e kapitenit të përfaqësueses, mirëpo deklaroi se nuk do të mund të jetë kapiten i Belgjikës ashtu si bashkëlojtari i tij në Chelsea, John Terry, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sulmuesit të “the Blues” i është thënë se shiritin e kapitenit do ta mbajë madje edhe pas rikuperimit të Kompanysë, ndërsa debutimin në cilësi të kapitenit do ta ketë sonte në përballjen kundër Estonisë, të vlefshme për kualifikimet për Botërorin Rusi 2018.
“Është ndjenjë e mirë të jesh kapiten, përpiqem të jem lider në fushë. Dëshiroj të dërgoj Belgjikën në kampionatin Botëror dhe të fitoj diçka me shtetin të cilin e përfaqësoj”, tha Hazard.
I pyetur nëse e sheh veten kapiten i ekipit Chelsea në të ardhmen, belgu rikujtoi gazetarët se kapiteni John Terry është akoma pjesë e ekipit. “John Terry është ende atje. Unë nuk dua të prek atë dhe nuk mund të jem si ai. Unë nuk flas shumë, përpiqem të flas përmes këmbëve të mia në fushë. Kjo është puna ime”, tha Hazard, i cituar nga mediat britanike.
Belgu Hazard është duke kaluar në një formë të shkëlqyer këtë sezon në Chelsea ku ka shënuar pesë gola në pesë ndeshje e fundit, duke ndihmuar klubin të jetë në garë për titull.
Golat erdhën pasi menaxheri i klubit të Londrës, Antonio Conte ndryshoi formacionin e lojës duke kaluar në 3-4-3, për të cilin Hazard thotë se i përshtatet shumë.
“Me Chelsea më duhet të jem i përqendruar vetëm në sulm, ndërsa mbrojtja dhe lojtarët anësor janë atje për të mbrojtur. Mendoj se ky është ndryshimi”, tha ai.