Hüseyin Burak Demirer
12 Mars 2020•Përditësim: 13 Mars 2020
Në rajonin historik Olympia të Greqisë është ndezur pishtari i olimpiadës i cili simbolizon fillimin e Lojërave Olimpike Tokio 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia tradicionale e ndezjes së pishtarit për Lojërat e 32-ta Olimpike, fati i të cilave është i papërcaktuar për shkak të shpërthimit të koroanvirusit të ri (COVID-19), u zhvillua në qytetin antik Olympia.
Në ceremoninë që simbolizon fillimin e lojërave që do organizohen nga 24 korriku deri më 9 gusht në kryeqytetin e Japonisë, Tokio, morën pjesë presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, Nënpresidenti i Komitetit Organizues i Tokio 2020, Toshiaki Endo dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Greqisë, Spyros Capralos
Normalisht kjo ceremoni ndiqet nga mijëra njerëz, por për shkak të shqetësimeve nga koronavirusi pjesëmarrja ishte e mbyllur për publikun.
Pishtari u ndez në Tempullin Hera nga aktorja greke Xanthi Georgiou nën një kostum tradicional. Ndërsa emri i parë që mbajti pishtarin ishte qitësja greke Anna Korakaki e cila fitoi medalje ari në Olimpiadën Rio 2016.
Pasi vizitoi monumentin Pierre de Coubertin, qitësja Korakaki ia dorëzoi pishtarin vrapueses maratoniste japoneze Mizuki Noguchi e cila është kampione në Lojërat Olimpike Athinë 2004.
Pishtari i cili do të mbahet përgjatë 7 ditëve në Greqi, do t‘i jepet zyrtarëve të Komitetit Organizativ të Tokio 2020 në një ceremoni që do të zhvillohet më 19 mars në stadiumin Panathinaiko në Athinë.