SARAJEVË (AA) - Bakir Tiro
Ngjarja e parë e madhe sportive në vitin 2015 fillon nesër në Katar. Kampionati botëror për hendbollistët do të luhet për herë të 24-të, ndërsa ndeshja që do ta hapë do të jetë ajo ndërmjet përfaqësueses vendase dhe Brazilit në Lusail duke filluar nga ora 18:00 sipas kohës lokale të Evropës qendrore.
Kampionati do të luhet në dy qytete, Doha dhe Lusail, deri më 1 shkurt, dhe njëkohësisht do të jetë i pari në Lindjen e Mesme pas Egjiptit në vitin 1999. Do të marrin pjesë 24 përfaqësuese në mesin e të cilave katër ekipe kombëtare nga rajoni i Ballkanit Perëndimor: Maqedonia, Sllovenia, Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Sllovenët do të luajnë në grupin A, ku bëjnë pjesë Spanja, Katari, Bjellorusia, Brazili dhe Kili. Grupin B e përbëjnë Kroacia, Maqedonia, BeH, Austria, Tunizia dhe Irani. Ekipi ndërkombëtar i Bosnjës dhe Hercegovinës për të parën herë do të luajë në njërën nga garat e mëdha, ndërsa kampionatin në Katar do të fillojë me takimin kundër Iranit, më 16 janar. Siç njofton Anadolu Agency (AA), Irani së bashku me BeH është i vetmi debutues në kampionatin e radhës. Të gjitha përfaqësueset nga Ballkani kryesisht synojnë plasmanin në fazën e dytë të kampionatit, (katër ekipet e para nga katër grupe shkojnë në 1/8 e finales).
Interesante, është se 19 nga 24 kombëtare përmes kualifikimit siguruan kualifikimin në kampionatin planetar. Pritësi Katari dhe kampioni aktual i botës Spanja janë kualifikuar drejtpërdrejtë në Kampionatin botëror, ndërsa Gjermania ka marrë ftesë për pjesëmarrje. Pasi që nga gara kanë hequr dorë Bahrein dhe Emiratet e Bashkuar Arabë të ashtuquajturën "Wildcard" (ftesën) e kanë marrë Islanda (kanë humbur në barazhin kundër BeH) dhe Arabia Saudite.
Kombëtaret më të trofeshme janë Franca dhe Suedia, me nga katër trofetë të më të mirëve në botë. Suedezët herën e fundit në Kampionatin botëror kanë festuar në vitin 1999. Të parë kanë qenë në vitin 1954, 1958 dhe 1990. Francezët mbretërit të hendbollit janë bërë në historinë moderne, në vitin 1995, 2001, 2009 dhe në vitin 2011. Kampioni aktual Spanja, përveç në vitin 2013, kampione u bë edhe në vitin 2005.
Gjermanët, të cilët në kampionatin erdhën falë ftesës, së bashku me suedezët, deri më tani kanë më së shumti paraqitje në Kampionatin botëror, 21 prej tyre. Pasojnë Danimarka me 20 paraqitje, Franca me 19, Spanja dhe Islanda me nga 17... Nga vendet e rajonit tonë Kroacia ka luajtur 10 herë në Kampionatin botëror. Që nga viti 1996 asnjë garë nuk kanë lëshuar. Në turnirin në Portugali në 2003, të njohur si "kaubojët" kanë fituar medaljen e artë. Kombëtarja e Sllovenisë është plasuar gjashtë herë në Kampionatin botëror (1995, 2001, 2003, 2005, 2007 dhe 2013). Maqedonia në historinë e saj të henbollit ka tre kualifikime, atë në vitin 1999, në 2009 si dhe në vitin 2013.
Në Botërorin në Katar ndeshjet do të drejtojnë 18 çifte të arbitrave, nga të cilët katër në varg nga shtetet e ish-Jugosllavisë. Ata janë: Matija Gubica, Boris Millosheviç (Kroacia), Nenad Nikoliç, Dushan Stojkoviç (Serbia), Gjorgij Naçevski, Slave Nikolov (Maqedonia), Nenad Krstiç, Petar Ljubiç (Sllovenia), shkruan Anadolu Agency (AA).
- Botërori për henbollistet në Danimarkë -
Kampionati botëror për henbollistet do të zhvillohet nga 5 deri 20 dhjetori në Danimarkë, ku titullin do ta mbrojnë brazilianet. Do të marrin pjesë 24 kombëtare. Ndeshjet do të luhen në katër qytete, Kolding, Naestved, Herning dhe Frederikshavn.
- Radhitja e ndeshjeve të kombëtareve nga rajoni:
16. janar
Grupi A: Sllovenia - Kili (ora 15); grupi B: BeH - Irani (13), Maqedonia - Tunizia (15), Kroacia - Austria (17).
17. janar
Grupi A: Sllovenia - Bjellorusia (ora 15); grupi B: Kroacia - Tunizia (17), Maqedonia - Irani (17), BeH - Austria (19).
19. janar
Grupi A: Sllovenia - Katari (ora 17); grupi B: BeH - Maqedonia (17), Kroacia - Irani (17).
21. janar
Grupi A: Sllovenia - Brazili (ora 15); grupi B: Kroacia - Maqedonia (17), BeH - Tunizia (17).
23. janar
Grupi A: Sllovenia - Spanja (ora 15); grupi B: BeH - Kroacia (17), Maqedonia - Austria (17).