Sibel Vezaj
09 nëntor 2016•Përditësim: 09 nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Ekipi i përfaqësueses së Kosovës, sot paradite në qytetin Antalia të Turqisë, ku edhe do të luhet ndeshja kualifikuese, ka mbajtur orë teorike, ku bashkarisht me shtabin teknik ka bërë një analizë të ndeshjeve të kaluara si dhe ka analizuar rivalin e ardhshëm, përfaqësuesen e Turqisë , transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) bëhet e ditur se me këtë rast, përzgjedhësi Albert Bunjaku, ka vënë në spikamë ndërtimin e ekipit, duke thënë se “Tash kemi gati 30 përqind të ekipit me futbollistë të rinj që më parë nuk ishin, por ne gjithsesi do të caktojmë cakun e objektivave tona”.
Ai tha se do të vazhdojnë të punojnë për kualifikimet për Botërorin 2018 në Rusi. Sipas tij, objektivi real i përfaqësueses së Kosovës është kualifikimi në Evropianin 2020. Ai ka shtuar se në këtë kampionat Kosova do të ketë mundësi dhe gjasa më të mëdha për kualifikim.
“Nëse punojmë me përkushtim dhe krijojmë një ekip homogjen rezultatet dhe suksesi nuk do të mungojë”, ka shtuar ai.
Përfaqësuesja po sot pasdite do të mbajë seancën e parë stërvitore në ora 16.00.
Ndeshja kualifikuese për Botërorin 2018, Turqi- Kosovë do të zhvillohet më 12 nëntor në Antalia.