Yunus Kaymaz
30 Maj 2019•Përditësim: 30 Maj 2019
Abdullah Avci është shkarkuar nga posti i trajnerit të klubit futbollistik Medipol Bashakshehir nga Stambolli, i cili për të tretin sezon radhazi dështon në fund të kampionatit në garën për titullin e kampionit të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
"Me dëshirën e trajnerit të respektuar Avci, diskutuam dhe kemi rënë dakord për ndërprerje të dyanshme të kontratës dhe të bashkëpunimit", thuhet në kumtesën e klubit i cili për më pak se tre dekada të ekzistimit, ka arritur majën e futbollit turk, megjithatë ende nuk ka ndjerë ëmbëlsinë e titullit.
Klubi ka falënderuar trajnerin Avci duke i dëshiruar sukses në vazhdimin e karrierës.
Edhe pse në pjesën më të madhe të sezonit kryesonte renditjen tabelare dhe disa xhiro para përfundimit të sezonit kishte tetë pikë epërsi, Bashakshehir përfundoi sezonin në vendin e dytë, me dy pikë disavantazh nga kampioni Galatasaray.
Galatasaray u kurrorëzua me titullin e kampionit të Turqisë nën drejtimin e trajnerit harizmatik Fatih Terim, emrin e të cilit e mban stadiumi i Bashakshehirit, dhe për ironinë e fatit, pikërisht Terim i la duarthatë.
Kur merret në konsideratë dështimi në garat e kupës së Turqisë dhe eliminimi në Liga Evropa në fazën grupore, atëherë bëhet e qartë përse menaxhmenti dhe tifozët janë të pakënaqur.