Chatbot-et e inteligjencës artificiale si ChatGPT mbledhin të dhëna nga Reddit
Reddit është në krye të listës së burimeve që citojnë LLM-të, me një pjesëmarrje prej 40,11 për qind, e ndjekur nga Wikipedia, YouTube dhe Google
Stamboll
Chatbot-et e inteligjencës artificiale ose të quajtura modele të mëdha gjuhësore (LLM), si ChatGPT, është zbuluar se mbledhin shumicën e të dhënave të tyre nga komentet në Reddit, transmeton Anadolu.
Sipas portalit të statistikave ‘Statista’, LLM-të u përhapën me shfaqjen e ChatGPT-së dhe u bënë pjesë integrale e jetës sonë të përditshme me lëshimin e disa modeleve, të tilla si Google Gemini, DeepSeek, Llama e Meta-s dhe Grok i platformës sociale X.
Të dhënat treguan se shumë LLM, përfshirë ChatGPT, i referohen faqeve të internetit të disponueshme publikisht për të gjeneruar përgjigje.
Sipas portalit ‘Statista’, Reddit është në krye të listës së burimeve që citojnë LLM-të, me një pjesëmarrje prej 40,11 për qind.
Ekspertët thanë se përdorimi i Reddit, ku përdoruesit diskutojnë tema specifike mbi një mori temash, të gjitha të ndara në ato që platforma i quan "subreddits", tregon se zhvillimi i chatbot-eve të inteligjencës artificiale i jep përparësi bisedave natyrore midis njerëzve të vërtetë mbi informacionin zyrtar.
Pas Reddit, platforma më e cituar nga LLM ishte ‘Wikipedia’ me një pjesëmarrje prej 26,3 për qind, e cila qëndron ndjeshëm pas Reddit, pasi ajo paraqet artikuj të redaktuar në vend të një modeli platforme të mediave sociale mbi të cilin operon Reddit.
U zbulua se YouTube kishte një pjesëmarrje prej 23,5 për qind, e ndjekur nga Google me 23,2 për qind, yelp.com me 21 për qind, Facebook me 19,9 për qind, Amazon me 18,7 për qind, Tripadvisor me 12,4 për qind, mapbox.com me 11,2 për qind dhe openstreetmap.com me 11,2 për qind.
Ndërkohë, disa marrëveshje midis kompanive të mediave sociale dhe prodhuesve të inteligjencës artificiale kanë dalë në pah.
Sipas një raporti nga ‘Reuters’, Google dhe Reddit nënshkruan një marrëveshje në vitin 2024 për të furnizuar inteligjencën artificiale të Google me të dhënat e saj për 60 milionë dollarë në vit. Reddit nënshkroi një marrëveshje të ngjashme për ndarjen e të dhënave me OpenAI për ChatGPT-në.
