Politikë

Zaev: Ftesa e Maqedonise në agjendën e Samitit të NATO-s në Bruksel

“Këshilli Veri-Atlantik sot mori vendim politik njëzëri. Si pikë e rendit të ditës është vendosur ftesa për Republikën e Maqedonisë për anëtarësim të plotë në NATO”, deklaroi Zaev

Admir Fazlagikj  | 20.06.2018 - Përdıtësım : 20.06.2018
Zaev: Ftesa e Maqedonise në agjendën e Samitit të NATO-s në Bruksel

Shkup

SHKUP (AA) – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në fjalimin e tij në Kuvend ka bërë të ditur se Këshilli Veri-Atlantik ka vendosur në rend dite ftesën për anëtarësim të Maqedonisë në NATO si pikë e rendit të ditës në Samitin që do të mbahet më 11 dhe 12 korrik në Bruksel, raporton Anadolu Agency (AA).

“Këshilli Veri-Atlantik sot mori vendim politik njëzëri. Si pikë e rendit të ditës është vendosur ftesa për Republikën e Maqedonisë për anëtarësim të plotë në NATO”, deklaroi Zaev.

Ai tha se ky është një hap historik për vendin dhe shprehu besimin se më 11 dhe 12 korrik në Samitin e NATO-s në Bruksel do të konfirmohet ky vendim i sotëm për pranimin e pikës për ftesën e Maqedonisë në NATO, e cila sipas tij, është aspiratë shekullore e shumë brezave.

“Në emër të kësaj dua të falënderoj komunitetet etnike me numër më të vogël në Maqedoni... shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët, serbët, vllehët dhe të tjerët që treguan solidaritet, marrëdhënie shtetërore ndaj neve maqedonasve, si komunitet më i madh në vend në këtë çështje, e ndien shtetin si të vetin, patën mirëkuptim në të gjitha aspektet dhe kjo konfirmon karakterin shtetëror të të gjitha komuniteteve tona në Republikën e Maqedonisë tonë të përbashkët”, deklaroi kryeministri Zaev.

Në adresimin e tij, Zaev falënderoi politikanët e garniturave të kaluara qeverisëse si dhe të ministrave aktualë të cilët ishin të përfshirë në procesin e arritjes së marrëveshjes për kontestin rreth emrit me Greqinë.

Zaev shprehu mirënjohje edhe ndaj opozitës dhe presidentit Gjorge Ivanov. Ai tha se është optimist dhe pret që edhe ata të bashkohen me të ardhmen e Maqedonisë.

Kryeministri Zaev bëri të ditur se pas ratifikimit të marrëveshjes pason referendumi, ndryshimet kushtetuese, ratifikimi në Parlamentin grek, por edhe fokusi i Qeverisë në ekonomi dhe reforma të tjera të nevojshme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në ditët e kaluara ka mirëpritur marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë mbi çështjen e emrit dhe vuri në dukje se në këtë mënyrë hapet rruga e Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO.

Sipas marrëveshjes së arritur në fund të javës së kaluar midis Maqedonisë dhe Greqisë, emri zyrtar i Republikës së Maqedonisë do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın