Aldijana Hadzic
05 Maj 2022•Përditësim: 05 Maj 2022
Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviç, ka deklaruar se zgjedhjet në BeH do të mbahen dhe u bëri thirrje zyrtarëve që të sigurojnë fonde për to, raporton Anadolu Agency (AA).
Xhaferoviç foli rreth zgjedhjeve të përgjithshme të 2 tetorit në BeH dhe reagimet që pasuan, duke përfshirë presidentin kroat, Zoran Milanoviç dhe kryetarin e Bashkimit Demokratik Kroat, (HDZ) të BeH-së, Dragan Çoviç, si dhe kryetarin e Asamblesë Parlamentare të BeH-së.
Çoviç i dërgoi një letër komunitetit ndërkombëtar pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shpalli zgjedhjet e përgjithshme.
“Unë i këshilloj fqinjët tanë, përfshirë Republikën e Kroacisë, që ta lënë Bosnjë e Hercegovinën të qetë. Ne do t'i rregullojmë marrëdhëniet tona ashtu siç mendojmë se duhet. Ne jemi shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht dhe ata sipas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit kanë detyrim të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës", tha Xhaferoviç.
Ai beson se është e nevojshme të ndërtohen marrëdhënie të mira me fqinjët.
“Nuk do të ndërmarrim asnjë hap për ta përkeqësuar më tej situatën. I bëj thirrje edhe fqinjëve tanë që të sillen në këtë mënyrë. Kjo që po ndodhë në fakt është ndërhyrje në punët e brendshme të Bosnjës dhe Hercegovinës. Zgjedhjet në Bosnjë e Hercegovinë do të mbahen siç është paraparë, ka një ligj që është i vlefshëm sipas ligjit aktual zgjedhor dhe u bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që duan të marrin pjesë në fushatë që t'i drejtohen procesit zgjedhor, që praktikisht janë shpallur dje nga Komisioni Qendror Zgjedhor”, tha Xhaferoviç.
Ai po ashtu u bëri thirrje të gjithë atyre që janë të detyruar të sigurojnë mjete për financimin e zgjedhjeve që ta bëjnë këtë menjëherë dhe të gjithë ata që paralajmërojnë bojkotime dhe bllokada të mundshme të heqin dorë.
"Sidomos të heqin dorë nga bllokada, sepse kushdo që bllokon procesin zgjedhor në çfarëdo mënyre është subjekt i përgjegjësisë sipas Kodit Penal", tha Xhaferoviç.