Fatjon Cuka
05 Tetor 2020•Përditësim: 05 Tetor 2020
Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviç, ka filluar vizitën zyrtare dyditore në Shqipëri, vizitë e cila realizohet në kuadër të ftesës së presidentit Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia zyrtare e pritjes me truprojën e nderit është mbajtur në selinë e Presidencës së Shqipërisë, ku Xhaferoviç është pritur nga presidenti Meta.
Pas ceremonisë, ka filluar takimi kokë më kokë mes Metës dhe Xhaferoviçit, me fokus diskutimet për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe bashkëpunimin rajonal.
Më pas do të mbahen takimet dypalëshe të delegacioneve zyrtare të Shqipërisë dhe BeH-së dhe në përfundim të takimeve është planifikuar një konferencë për media Meta-Xhaferoviç.
Xhaferoviç gjatë vizitës në Shqipëri do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.
Kryesuesi i Presidencës së BeH-së, së bashku me presidentin Meta, do të vizitojnë edhe fshatin Borakë në Bashkinë e Shijakut, ku jeton një pjesë e komunitetit boshnjak në Shqipëri.