Sibel Vezaj
21 Qershor 2017•Përditësim: 21 Qershor 2017
PRISHTINË (AA)- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në takim konsultativ përfaqësuesit e subjekteve politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Gjatë takimit shumica e përfaqësuesve të partive politike shprehën pajtimin që këto zgjedhje të mbahen më 22 tetor, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë këtij takimi ku morën pjesë përfaqësuesit e 20 partive politike në Kosovë, Thaçi tha se tani janë brenda afateve ligjore për përcaktimin e datës së zgjedhjeve, por që duhet të merren parasysh të gjitha faktorët që mund të ndikojnë në mbarëvajtjen e këtij procesi. Ai shtoi që në ditët në vijim në bazë të propozimeve të dhëna, do ta caktojë dhe do ta shpallë datën e zgjedhjeve lokale.
“KQZ është shprehur e gatshme të organizojë zgjedhjet e rregullta për organet e vetqeverisjes lokale dhe të sigurojë mbarëvajtjen e tyre. Ne si Kosovë kemi instaluar traditën e zgjedhjeve të lira e të suksesshme. Këtë e dëshmuam edhe në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës më 11 qershor 2017. Edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale duhet ta dëshmojmë këtë dhe të sigurojmë një proces zgjedhor të besueshëm, kredibil dhe të pranueshëm nga të gjithë”, tha Thaçi.
Kurse kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka shprehu gatishmërinë e KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve lokale dhe kërkoi që ato të mbahen sa më herët që është e mundshme, duke kërkuar nga përfaqësuesit e subjekteve politike që ta kenë parasysh që po shkohet drejt dimrit.
“Për zgjedhjet lokale me siguri që do të kemi edhe raund të dytë, balotazh, i cili do të mbahet 4 javë pas datës së përcaktuar, çka mund të shkojë që certifikimi i atyre zgjedhjeve të ndodhë edhe pas vitit të ri e cila do të shkaktojë problem edhe tek buxheti edhe tek financimi”, tha Daka.
Kurse përfaqësuesit e partive politike shprehën mendimin që zgjedhjet të mbahen sa më që herët që është e mundshme brenda afatit kushtetues. Shumica e tyre ishin të pajtimit që këto zgjedhje të mbahen më 22 tetor, kurse disa prej tyre shprehën mendimin edhe për datën eventuale, 15 tetori ose 29 tetori.
Ndryshe, zgjedhjet e kaluara lokale në Kosovë janë mbajtur më 3 nëntor 2013, ndërsa certifikimi përfundimtar nga KQZ është bërë më 11 dhjetor 2013. Sipas ligjit për zgjedhjet lokale, këto zgjedhje mbahen ditën e diel për çdo 4 vite. Zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se gjashtëdhjetë ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se tridhjetë ditë pas përfundimit të mandatit. Sipas kompetencave të presidentit të Kosovës të përcaktuara me Kushtetutë, vendimi për caktimin e datës së zgjedhjeve bëhet jo më vonë se 4 muaj dhe jo më herët se gjashtë muaj, para datës së zgjedhjeve.