Nazmi Abduramani
20 Prill 2016•Përditësim: 21 Prill 2016
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në hapjen solemne të Panairit Ndërkombëtar “Prishtina 2016”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe të mbështetur nga Qeveria e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Thaçi, siç potencohet në njoftimin, tha se organizimi i këtij panairi tashmë është bërë një traditë dhe se çdo vit po rritet për nga masiviteti, cilësia dhe prezenca e larmishme e produkteve. Ky aktivitet promovues, sipas presidentit Thaçi, jep një kontribut me vlerë të veçantë për shkëmbimet tregtare të Kosovës, si me shtetet e rajonit, ashtu edhe më gjerë.
Presidenti i Kosovës Thaçi tha se të gjithë duhet ta mbështesin fuqimisht integrimin e Kosovës në tregun e përbashkët të BE-së dhe të përpiqen që të sigurojnë tregje të reja për prodhimet dhe shërbimet kosovare, si dhe për zgjerimin dhe konsolidimin e tregjeve tona ekzistuese.
Ai theksoi se në mesin e 189 shteteve të botës të përfshira në raportet e Bankës Botërore, Kosova renditet në vendin e 66-të në raportin e “Bërjes së Biznesit”, si dhe në vendin e 67-të në atë të “Pagesës së Taksave”.
“Renditemi më lart se mesatarja ndërkombëtare, gjë që tregon se ia kemi dalë të ndërtojmë një klimë të përshtatshme për biznesin dhe politika fiskale tërheqëse e konkurruese”, ka thënë presidenti Thaçi.
Vendi ynë, sipas presidentit Thaçi, ka shumë nevojë për investime të huaja, por njëkohësisht edhe ofron oportunitete të shumta për sipërmarrësit e huaj.
“Në fillim të këtij muaji hyri në fuqi dhe filloi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, që jo vetëm i ka hapur rrugë anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, por edhe i ka dhënë një shtytje integrimit të ekonomisë në tregun e përbashkët evropian”, tha presidenti Thaçi.
Pjesë e Panairit Ndërkombëtar “Prishtina 2016” ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bashkë me ministra të tjerë të kabinetit qeveritar.
Panairi Ndërkombëtar “Prishtina 2016” do të jetë i hapur deri më 23 prill dhe në të po i promovojnë produktet e tyre mbi 100 kompani vendore e të huaja.