Admir Fazlagikj
06 shtator 2018•Përditësim: 06 shtator 2018
SHKUP (АА) – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot është takuar me presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me çka filloi takimet me zyrtarët e lartë të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftuan nga Kabineti i presidentit Ivanov, në takim është biseduar për gjendjen e brendshme aktuale politike në Republikën e Maqedonisë, integrimet euroatlantike të vendit, përparimin e reformave në mbrojtje dhe sigurinë në pajtim me standardet e NATO-s.
Ivanov tha se "Republika e Maqedonisë është fuqishëm e përkushtuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit dhe kontribuon për sigurinë brenda dhe jashtë rajonit tonë".
Ai potencoi se Maqedonia në vazhdimësi tregon se është partner i besueshëm dhe strategjik dhe aleat i NATO-s, duke shtuar se që në vitin 2008 Maqedonia përmbushi kushtet për anëtarësim në NATO dhe gjatë këtyre viteve në mënyrë aktive duke kontribuar në misionet paqësore ndërkombëtare meriton anëtarësimin në NATO pa kushte shtesë.
“Besoj se vendi i duhur i Republikës së Maqedonisë është në Bashkimin Evropian dhe NATO. Do të vazhdojë t’i mbështesë qëllimet tona strategjike. Por, Bashkimi Evropian dhe NATO në asnjë rast nuk guxojnë të jenë alibi për një marrëveshje të keqe", porositi presidenti Ivanov, në takimin me kreun e NATO-s, Stoltenberg, thuhet në njoftim.
Ivanov ka thënë se të gjitha obligimet e tij si komandant suprem i forcave të armatosura në raport me mbrojtjen janë kryer dhe se Armata e Republikës së Maqedonisë ka përmbushur detyrat e vendosura dhe arriti të dëshmohet si partner i barabartë me armatat e vendeve anëtare të NATO-s si në stërvitje dhe kontrollet, ashtu edhe në praktikën në kryerjen e operacioneve.
“Në këtë drejtim, presidenti Ivanov theksoi se mbështeti procesin e miratimit të pasqyrës mbrojtëse strategjike në pajtim me rekomandimet e ekipeve këshilluese të NATO-s dhe se strategjia e re që është jashtëzakonisht e orientuar drejt anëtarësimit në NATO, është hartuar”, informojnë nga kabineti i presidentit Ivanov.
“Duke pasur parasysh sfidat e reja reale me të cilat përballet rajoni dhe Evropa", shtoi Ivanov, ruajtja e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit tonë duhet të paraqesë interes kolektiv për të gjithë”, qëndron në njoftimin nga kabineti.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, dje arriti në aeroportin e Shkupit, ku u prit nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska ndërsa sot filloi takimet me krerët e shtetit.