Darren Lyn
04 Mars 2024•Përditësim: 05 Mars 2024
Nikki Haley shënoi fitoren e saj të parë brendapartiake ndaj ish-presidentit Donald Trump të dielën në zgjedhjet paraprake në Washington DC, duke shënuar fitore historike, raporton Anadolu.
Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut u bë gruaja e parë që fitoi ndonjëherë zgjedhjet brendapartiake presidenciale republikane, duke mposhtur ish-presidentin 63 me 33 për qind në Distriktin e Kolumbisë në SHBA, sipas disa mediave.
Trump e ka mposhtur Haley-n në çdo garë duke filluar me zgjedhjet e Iowa-s dhe ato në New Hampshire ndërsa gjithashtu fitoi zgjedhjet paraprake në shtetin e Haley-t në Karolinën e Jugut.
Por, Haley premtoi se do të luftojë deri në fund, pavarësisht betejës së vështirë kundër Trumpit ndërsa fitorja në DC i jep fushatës së saj një shtytje politike.
"Nuk është për t'u habitur që republikanët e Washingtonit po refuzojnë Donald Trumpin dhe gjithë kaosin e tij", tha zëdhënësja e fushatës së Haley, Olivia Perez-Cubas në një deklaratë.
Ekspertët politikë komentuan se fitorja e Haley-t është më shumë simbolike dhe kontribuon pak për të tejkaluar Trumpin, i cili konsiderohet dominant për t'u bërë kandidati presidencial republikan dhe kryeson me një diferencë të madhe në shumicën e sondazheve mbarëkombëtare.
Sipas tyre, Haley do të marrë vetëm 19 delegatë nga kjo fitore, që është "një pikë uji në kovë" duke marrë parasysh se nevojiten 1.215 delegatë për të arritur nominimin.
"Qëllimisht qëndrova larg zgjedhjeve në DC sepse është një 'kënetë', me shumë pak delegatë dhe pa asnjë të mirë", shkroi Trump në postimin e tij në mediat sociale lidhur me zgjedhjet paraprake.
Fokusi tani zhvendoset në ditën më të madhe të vendit të zgjedhjeve brendapartiake të njohur si "Super e marta", e cila do të jetë më 5 mars. Kjo është kur shumica e shteteve federale të SHBA-së mbajnë zgjedhjet e tyre bendapartiake ose grupet parlamentare.
15 shtetet që marrin pjesë në "Super të martën" janë: Alabama, Alaska, Arkansas, Kalifornia, Kolorado, Maine, Massachusetts, Minesota, Karolina e Veriut, Oklahoma, Tenesi, Teksasi, Utah, Vermonti dhe Virxhinia si dhe territori amerikan i Samoas Amerikane.
Kandidati që arrin numrin e 1.215 delegatëve do të emërohet zyrtarisht në Konventën Kombëtare Republikane, e cila do të mbahet nga 15-18 korrik në Milwaukee, Wisconsin.