Admir Fazlagikj
01 Gusht 2017•Përditësim: 01 Gusht 2017
SHKUP (АА) - Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot zhvilloi takim me kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Bojko Borisov i cili qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftoi kabineti i presidentit në takim Ivanov dhe kryeministri Borisov biseduan për Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim midis dy vendeve si dhe për vullnetin dhe angazhimin e të gjithëve që në periudhën e kaluar ishin të involvuar në angazhimet për harmonizimin e saj.
“Me këtë akt konfirmohet vullneti politik dhe angazhimi i të dyja shteteve për ndërmarrjen e hapave të mëtejmshme drejt ndërtimit të besimit të ndërsjellë dhe tejkalimit të çështjeve të hapura”, ka theksuar presidenti i Maqedonisë në takim.
Presidenti Ivanov, tha se si edhe deri më tani, ashtu edhe në të ardhmen do të angazhohet për zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Në takim, presidenti Ivanov e ka riafirmuar përkushtimin e plotë të vendit dhe integrimit evropian dhe euroatlantik dhe ka potencuar se Republika e Maqedonisë pret mbështete të hapur nga Republika e Bullgarisë për fillimin e negociatave aderuese për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) si edhe mbështetje lidhur me pranimin e Republikës së Maqedonisë në NATO.
Dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmëri për zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve gjithëpërfshirëse dypalëshe midis dy vendeve, veçanërisht duke e theksuar nevojën për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe realizimit të projekteve të filluara infrastrukturore, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se sot kryeministrat e Maqedonisë dhe Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov në Shkup nënshkruan Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes dy vendeve. Kryeministrat e të dyja vendeve në konferencën e përbashkët për media deklaruan se nënshkrimi i marrëveshjes është shembull për fqinjësi të mirë mes dy vendeve dhe tregon se vendet e rajonit kanë udhëheqësi evropiane.