Bekim Laci
12 Prill 2016•Përditësim: 12 Prill 2016
SHKUP (AA) - Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov solli vendim të përgjithshëm me të cilin ndërpriten të gjitha procedurat penale kundër pushtetit dhe opozitës, për siç tha, të ruajë interesin shtetëror dhe kombëtar, të cilën e vlerëson si mundësi për dalje nga kriza politike, raporton Anadolu Agency (AA).
"Me qëllim të kontribuojë për zgjidhjen e krizës politike dhe relaksimit të marrëdhënieve dhe uljen e tensioneve mes palëve të kundërshtuara politike dhe përkrahësve të tyre, ndërsa i vetëdijshëm për pasojat për shtetin nëse nuk ndërmerret asgjë lidhur me krizën e rëndë, si dhe i vetëdijshëm për pasojat mbi mua për ndërmarrjen e këtij veprimi, por me besim të plotë se jam duke vepruar drejtë në interes të shtetit, kombit si dhe stabilititetit dhe pavarësisë së tij, vendosa ti jap fund agonisë së Republikës së Maqedonisë”, tha Ivanov.
Ai theksoi se vendimi i nënshkruar sot, hyn në fuqi menjëherë dhe se qëndron prapa tij, ndërsa potencoi se kriza është interes i huaj i cili përmes liderëve politik të armiqësuar mes vete dëshiron të arrijë qëllimet e veta.
"Tërë kjo që ka ndodhur në periudhën e kaluar rezultoi me një komprometim politik të paparë deri më tani, me përleshje politike dhe revanshizëm të pafund dhe urrejtje në masë të konfrontimit personal", tha Ivanov.
Presidenti Ivanov në paraqitjen e tij para opinionit të Maqedonisë tha se konfrontimi është aq i thellë sa që partitë politike janë të gatshme të përdorin mënyra të llojllojshme që të mos pësojnë humbje në zgjedhjet e radhës.