Bekim Laci
23 korrik 2016•Përditësim: 23 korrik 2016
SHKUP (AA) - Me 92 vota pro, tre kundër dhe një abstenim Parlamenti i Maqedonisë pas mesnate miratoi ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, të parashtruar nga deputetët Ilija Dimovski, Artan Grubi, Goran Sugareski dhe Imer Aliu, si pjesë e marrëveshjes së partive për daljen e vendit nga kriza, raporton Anadolu Agency (AA).
Me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, parashikohet që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) mund të fshijë nga regjistri zgjedhor 39.502 votues të kontestuar nëse ata nuk bëjnë regjistrimin e tyre në afatin e lejuar, ndërsa me ligj parashihet që 171.500 qytetarë me punë ose qëndrim të përkohshëm jashtë vendit të shënohen në një regjistër të posaçëm.
Pjesë e ndryshimeve është edhe mundësia që tre ose më shumë anëtarë të KSHZ-së të mund të kërkojnë kontroll shtesë për çdo emër. Në një rast të tillë, anëtarët mund të kërkojnë nga personi të paraqitet personalisht nëse jeton në vend, ose nëpërmjet videokonferences nëse jeton jashtë shtetit.
Mes tjerash, ndryshimet parashikojnë që qeveria e re e cila do të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të marrë votëbesimin në Parlament 100 ditë para mbajtjes së tyre.