Sibel Vezaj
19 Gusht 2016•Përditësim: 20 Gusht 2016
PRISHTINË (AA) - Disa dhjetëra qytetarë të Prishtinës në organizim të shoqërisë civile pasditen e sotme vazhduan protestat për të pestën herë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, protesta të cilat filluan dy javë më parë, raporton Anadolu Agency (AA).
Fillimisht numri i protestuesve ishte i vogël, ndërsa si herave tjera, ashtu edhe në marshin e sotëm protestuesit vazhdimisht kërkonin që t'u bashkohen qytetarët tjerë. Protestuesit, numri i të cilëve në ndërkohë rritej, vazhduan drejt drejt sheshit "Skënderbe" në afërsi të ndërtesës së Qeverisë.
Ata me brohoritjet “Poshtë Qeveria”, “Adem të duam në burg”, “Dorëheqja nuk mjafton”... kërkonin largimin e të gjithë siç thonin, të korruptuarve nga institucionet e vendit. Disa nga protestuesit kanë hedhur ujë me qese tek ndërtesa e Qeverisë, ndërsa disa policë të pranishëm nuk reaguan.
Gjatë protestës dëgjoheshin bisedat telefonike të cilat pretendohet se janë kryer mes krerëve të PDK-së, që kanë funksione të larta në institucionet e vendit. Në këto pretendime protagonist është shefi i grupit parlamentarë të PDK-së, Adem Grabovci. Ndërkohë Adem Grabovci, para disa ditësh kishte dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.