Fatjon Cuka
30 Maj 2016•Përditësim: 31 Maj 2016
TIRANË (AA) - Në kuadër të Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë thuhet se Meta e ka uruar Gjukanoviçin për firmosjen së fundmi të protokollit të anëtarësimit mes ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s dhe Malit të Zi.
“Meta u shpreh se Shqipëria, e bindur për rëndësinë që stabiliteti i Malit të Zi ka për tërë rajonin tonë, mbështet pa rezerva progresin e vendit fqinj drejt integrimit të plotë euro-atlantik dhe vuri në dukje se Shqipëria dhe Mali i Zi qëndrojnë krah për krah në sfidat rajonale dhe globale me të cilat po përballet Bashkimi Evropian dhe NATO”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë.
Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç shprehu mirënjohjen ndaj mbështetjes së Shqipërisë dhe vuri në dukje se marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve fqinje janë një model për të gjithë rajonin.
“Gjatë takimit, Meta dhe Gjukanoviç, biseduan edhe mbi të drejtat e pakicës kombëtare shqiptare në Mal të Zi, duke ndarë bindjen e përbashkët se të drejtat e pakicave janë një vlerë e shtuar për çdo vend të rajonit, ashtu si në të gjithë vendet anëtare të NATO-s”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.