Fatjon Cuka
23 dhjetor 2015•Përditësim: 23 dhjetor 2015
TIRANË (AA) - Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, priti në një takim, komandantin e Qendrës së Bashkuar Operacionale Ajrore të NATO-s (CAOC Torrejon, Spanjë), gjeneralmajor Ruben C. Garcia Servert, transmeton Anadolu Agency (AA) .
Një nga çështjet e rëndësishme ku u fokusua diskutimi, sipas burmimeve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, ishte patrullimi i hapësirës ajrore të Shqipërisë nga NATO, e cila menaxhohet dhe kontrollohet nga CAOC Torrejon.
Në organizatën e Komandimit dhe Kontrollit Ajror të NATO-s, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë duke kontribuar me 3 oficerë, ku njëri prej tyre shërben pikërisht në qendrën e Torrejonit (CAOC Torrejon).
Ministrja Kodheli, duke trajtuar situatën aktuale të sigurisë e krijuar në kufijtë lindor dhe jugor të NATO-s, theksoi se mbetet kritike që NATO të jetë vigjilente dhe e gatshme në tokë, det dhe ajër për t’iu përgjigjur rreziqeve dhe sfidave, nga çfarëdo drejtimi ato vijnë. “CAOC Torrejon ka një mision shumë të rëndësishëm, pasi menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore të Evropës Jugore. Ministrja e Mbrojtjes Kodheli u ndal edhe në implementimin e Planit të Gatishmërisë për Veprim (RAP), si një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes kolektive. Në këtë kuadër, ajo theksoi se Shqipëria, siç është bërë e ditur, do të kontribuojë për periudhën 2016-2018 me një kompani në Forcën e Reagimit të Shpejtë të NATO-s (VJTF). Gjatë vitit 2016 Forcat tona të Armatosura do të jenë pjesë e Shtabit të Brigadës së kësaj force, e kryesuar nga Spanja”-thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.
Gjeneralmajor Ruben C. Garcia Servert ishte për një vizitë zyrtare në Shqipëri me ftesë të komandantit të Forcës Ajrore të Ushtrisë Shqiptare, gjeneral brigade, Vladimir Avdiaj.