Fatjon Cuka
02 tetor 2015•Përditësim: 02 tetor 2015
TIRANË (AA) - Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, dha sot një leksion për pjesëmarrësit në Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes (KLSM) është Kursi më i lartë në piramidën e arsimit ushtarak në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky është Kursi i 7-të i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe marrin pjesë ushtarakë të lartë nga FA të Shqipërisë, Kosovës, Gjermanisë, Italisë, Turqisë, Greqisë, Gjeorgjisë, Maqedonisë, si dhe përfaqësues nga institucione në vartësi të Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Drejtësisë, nga Presidenca etj.
Kodheli ndër të tjera në fjalën e saj u shpreh vendet anëtare të NATO-s po përballen kohët e fundit me kërcënime të ndryshme që vijnë nga Lindja dhe Jugu, por ato kanë të përbashkëta sipas saj, parimet e mbrojtjes kolektive, menaxhimin e krizave dhe sigurinë bashkëpunuese.
“Shqetësimet në të gjithë krahët lindor dhe juglindor të Aleancës janë të dukshme. Nuk duhet të harrojmë që këto rajone mund të ndikohen lehtësisht nga trazirat ndërkombëtare, për shkak të paqëndrueshmërisë dhe dobësisë së tyre. Ballkani Perëndimor është njëri prej tyre, relativisht larg nga Rusia dhe Lindja e Mesme, por shumë i ndikuar paratë dhe ideologjia e Moskës si dhe nga fondamentalizmi”- u shpreh Kodheli.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë u shpreh se Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Serbia, së bashku me Malin e Zi dhe Maqedoninë, pavarësisht se janë për vite me radhë vende kandidate potenciale për anëtarësim në NATO, nuk i janë bashkuar ende grupit atlantik. Sipas saj, shembujt më të mirë të rajonit janë Sllovenia dhe Kroacia, vende anëtare të NATO-s dhe BE-së dhe Shqipëria, anëtar vetëm i NATO-s. “Megjithatë, a është kaq drastike për BE-në që të pranojë disa miliona njerëz nga Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia si qytetarët e vet? Askush nuk po kërkon dhurata dhe privilegje, por vetëm një rajon të sigurt”-thekson Kodheli.
“Rruga drejt anëtarësimit në BE është më komplekse për vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe kështu është edhe për vendin tim. Pasiguritë politike dhe vështirësitë ekonomike janë duke e dobësuar ëndrrën e integrimit, dhe në një kohë konfliktesh të tilla, ne të gjithë biem dakord që lindja e konflikteve të tjera mund të parandalohet lehtësisht nga proceset e integrimit. Me rritjen e nacionalizmit në Evropë, Rusia ka pasur një projekt të qartë dhe konkrete për Ballkanin, duke përcaktuar qartësisht zonat e influencës të mbështetura tek feja dhe prejardhja racore. Rajoni ynë është parë gjithmonë si një shtojcë për zgjerimin e Rusisë drejt Mesdheut. Ëndrrat e Ballkanit për qytetërimin perëndimor nuk janë pranuar asnjëherë nga Rusia”- ka shtuar ndër të tjera ministrja Kodheli.