Politikë

Khamenei: Besimi tek Perëndimi nuk ka dobi

Në takimin e tij lamtumirës me presidentin në largim Rouhani dhe anëtarët e kabinetit të tij, udhëheqësi suprem i Iranit, Khamenei tha se përvoja e 8 viteve të kaluara tregon se besimi tek Perëndimi nuk ka dobi

Ekip  | 28.07.2021 - Përdıtësım : 29.07.2021
Khamenei: Besimi tek Perëndimi nuk ka dobi

Teheran

Në takimin e tij lamtumirës me presidentin në largim Hassan Rouhani dhe anëtarët e kabinetit të tij, udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei tha se përvoja e 8 viteve të kaluara tregon se besimi tek Perëndimi nuk ka dobi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qeveria reformiste e Rouhanit përfundon dy mandatet e saj në detyrë javën e ardhshme ndërsa ish-shefi i gjyqësorit Ebrahim Raisi pritet të formojë qeverinë e re konservatore më 5 gusht.

Khamenei i tha Rouhanit dhe kabinetit të tij se përvoja më e rëndësishme nga qeveria e tij është "mosbesimi te Perëndimi", duke kërkuar që administrata e ardhshme të "shfrytëzojë këtë përvojë".

"Ata nuk ndihmojnë, por ata godasin kudo që munden. Kur ata nuk e bëjnë, është sepse ata nuk munden", tha ai.

Khamenei, i cili ka kundërshtuar negociatat me Perëndimin, tha se administrata në largim "dështoi sa herë që mbështetej tek Perëndimi", duke i bërë thirrje administratës së re të shkëpusë programet e brendshme nga Perëndimi.

"Patjetër që dështon, patjetër që goditet. Kudo që ia keni lënë punët tuaja Perëndimit, keni dështuar dhe kudo që jeni ngritur dhe lëvizur pa i besuar Perëndimit, keni pasur sukses", tha ai.

Duke bërë thirrje për mbështetje në aftësitë e brendshme, Khamenei tha se ka "mijëra mënyra të ndryshme" përtej mbështetjes së Perëndimit.

Vërejtjet e udhëheqësit iranian janë domethënëse pasi ato vijnë mes mosmarrëveshjes rreth ringjalljes së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 pas gjashtë raundeve të bisedimeve maratonë në Vjenë të cilat nuk dhanë rezultate.

Khamenei kishte kundërshtuar marrëveshjen bërthamore të nënshkruar midis Iranit dhe SHBA-së në vitin 2015, të cilën administrata e Trumpit e braktisi në maj 2018. Që atëherë, ai shpesh ka paralajmëruar kundër besimit në Washington.

Deklaratat e tij të fundit janë gjithashtu një shenjë e asaj se çfarë qëndrimi do të merr qeveria e Raisit lidhur me marrëveshjen bërthamore dhe negociatat, pasi ai konsiderohet si një besnik i Khameneit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın