Ekip
07 shtator 2023•Përditësim: 08 shtator 2023
Raymond Ndong Sima, kundërshtar i presidentit të rrëzuar të Gabonit Ali Bongo, u emërua kryeministër i përkohshëm sot, sipas një dekreti të lexuar në televizionin shtetëror, transmeton Anadolu
Presidenti i tranzicionit, Gjeneral Brice Oligui Nguema, emëroi ekonomistin 68-vjeçar në krye të qeverisë kalimtare.
Midis viteve 2012 dhe 2014, Ndong Sima ishte kryeministër i Bongos. Bongo u rrëzua në një grusht shteti më 30 gusht, pasi fitoi një mandat të tretë.
Ndong Sima gjithashtu kandidoi kundër Bongos në zgjedhjet presidenciale të viteve 2016 dhe 2023 dhe e akuzoi atë për qeverisje të keqe.
Ai është figura e dytë opozitare që Oligui e ka vendosur në krye të institucioneve, pasi u betua të hënën si president i tranzicionit. Oligui nuk caktoi një afat për përfundimin e periudhës së tranzicionit, për të shpallur se kur do të zhvillohen zgjedhjet e lira dhe as për formimin e një qeverie të re.
Dieudonne Aba'A Owono, gjykatës që ka qenë në Këshillin e Shtetit që nga viti 2022, ishte emëruar më parë president i Gjykatës së Re Kushtetuese. Ai zëvendësoi Marie Madeleine Mborantsuon, e cila kishte mbajtur postin për 32 vjet nën regjimin e Bongos dhe atë të babait të tij, Omar Bongo Odimba.