Kristina Maslareviç
03 Nëntor 2015•Përditësim: 04 Nëntor 2015
BEOGRAD (AA) - Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, u takua sot me shefin e ri të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Zahir Taninin, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç theksohet në komunikatën për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, në takim u diskutuan edhe veprimet e UNMIK-ut, si dhe rëndësia e "angazhimit të mëtejshëm të këtij misioni në fushat kyçe për mbijetesën, jetën normale dhe dinjitoze të serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë në Kosovë."
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, shprehu pritjen se UNMIK-u do të vazhdojë të punojë në kapacitet të plotë në bazë të mandatit të vet dhe në përputhje me Rezolutën 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kryediplomati i Serbisë veçanërisht vuri në dukje "rëndësinë e Misionit në implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, si dhe nevojën për të kapërcyer bllokadën e këtij procesi nga ana e Prishtinës".