Furkan Naci Top
28 Nëntor 2016•Përditësim: 28 Nëntor 2016
ATHINË (AA) - Komisioneri evropian për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, duke theksuar se po funksionon marrëveshja për emigrantët mes Turqisë dhe Bashkimit Europian tha se "Ne duhet të mobilizojmë çdo gjë që kemi për vazhdimësinë e kësaj marrëveshjeje", raporton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim në hapjen e Forumit të 6-të Konsultativ të Agjencisë Evropiane për Mbështetjen e Azilit (EASO) të mbajtur në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, Avramopoulos ka folur në lidhje me krizën e migrantëve në Evropë.
Pasi ka vënë në dukje se ende nuk ka përfunduar kriza e migrantëve ai është shprehur se "Situata e migrantëve në Evropë është ende e brishtë, por ajo po përmirësohet. Teksa në muajin mars vinin 10 mijë emigrantë në ditë, aktualisht kjo shifër është nën 100."
Avramopoulos ka ndarë informacionin se në muajt e kaluar afërsisht 8 mijë refugjatë nga Greqia dhe Italia janë strehuar në vendet e tjera të BE-së, dhe i ka bërë thirrje vendeve të Evropës që të zbatojnë menjëherë premtimet e tyre dhe të rritin kapacitetet.
Duke vënë theksuar se po funksionon marrëveshja për emigrantët mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian, Avramopoulos, ka vlerësuar se " Ne duhet të mobilizojmë çdo gjë që kemi për funksionimin e marrëveshjes. Ky është prioriteti ynë dhe ne duhet ti përmbahemi."
"Kemi edhe plane B, C, D"
Ndërsa në anën tjetër Drejtori i EASO, Jose Carreira në përgjigje të pyetjeve në një konferencë për shtyp ka theksuar se kanë planifikuar të rritin numrin e punonjësve ekspertë për azilantët që ndodhen në ishuj.
Në lidhje me deklaratat e ministrit grek të Migracionit Janni Muzalas se në ishuj ndodhen vetëm 36 ekspertë dhe jo 400 ashtu siç është premtuar Carreira tha se "Ministri Muzalas ka të drejtë. Por numri që ai ka shprehur është gabim. Sepse shifra nga ishulli në ishull dhe nga muaji në muaj mund të ndryshojë sipas situatës. Në ishuj duke përfshirë edhe përkthyesit kemi 210 punonjës. Dëshirojmë që këtë shifër ta shtojmë."
Ndërsa pyetjes nëse ka një plan B nëse rriten në mënyrë të shpejtë kalimet e migrantëve, Carreira i është përgjigjur se "Kjo mund të ndodhë edhe ditën e nesërme. Të jeni të sigurtë se kemi edhe plane B, C, D. Ne i vërejmë zhvillimet. Por aktualisht kjo nuk është e vërteta. Marrëdhëniet me Turqinë në këtë pikëpamje janë pozitive, në të njëjtën mënyrë, nuk kanë ndryshuar. Shpresojmë që të mos ndodhë e kundërta."
Zv/ministri grek i politikave të migracionit Jannis Balafas në përgjigje ndaj Carreira-s tha se shifra 36 e theksuar nga ministri është e saktë dhe se ajo i referohet vetëm numrit të ekspertëve të azilit, ku dhe ka shtuar më tej se nuk ka nevojë për plane të tjerë teksa marrëveshja aktuale funksionon.