Kristina Maslareviç
02 tetor 2015•Përditësim: 03 tetor 2015
BEOGRAD (AA) – Duke folur në ceremoninë e mbylljes së Forumit të Pestë të Sigurisë në Beograd, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Evropa po përballet me shumë sfida për të cilat nevojitet zgjidhje gjithëpërfshirëse, sepse siç tha, "në të kundërtën nuk jam i sigurtë nëse BE-ja do të mbijetojë", raporton Anadolu Agency (AA).
Vuçiq tha se Evropa ka nevojë për ridefinim. "Për çdo ditë shohim zhvillime të reja të cilat ndikojnë në realitetin tone, zhvillime për të cilat nuk ka përgjigje të vërtetë. Kriza me emigrantët ka shfaqur shumë mangësi të cilat nuk dimë si ti përmirësojmë" ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se Serbia është e gatshme të marrë përsipër një barrë, madje më të madhe se sa vendet e BE-së dhe të pranojë sistemin e kuotave edhe pse nuk është anëtare e BE-së, dhe se Evropa nuk ka gjetur zgjidhje të përbashkët për krizën e refugjatëve për çka të gjithë presin që kancelarja gjermane Angela Merkel të bëjë diçka
Kryeministri i Serbise shtoi se për herë të parë, Evropa ka nevojë për lidership të fortë, ndërsa tha se shpreson që njerëzit në Bruksel do të dëshmojnë fuqinë për të bërë diçka në emër të të gjithëve.
“Nëse kjo nuk ndodhë, frikësohem nga destabilizimi i mundshëm, jo vetëm të Ballkanit Perëndimorë të cilit i përkasim ne, por më gjërë" ka thënë Vuçiq.
Sipas tij, situata dhe pasojat nga zhvillimet në Siri, kohëve të fundit kanë nxjerrë në sipërfaqe dobësitë e teorive për siguri sepse siç tha, "me një lëvizje gjithçka u ndryshua për disa ditë".
"Prandaj Evropa, por dhe e tërë bota duhet të gjejnë zgjidhje të shpejtë të mundshme. Në të kundërtën do të përballemi me probleme në shumë institucione, dhe nuk jam i sigurt nëse vallë BE-ja do të mund të përballojë këtë" ka thënë kryeministri i Serbisë.