Ekip
31 Maj 2016•Përditësim: 31 Maj 2016
KIEV (AA) - Pilotja ukrainase Nadezhda Savchenko, e cila pasi që kaloi dy vite në burg në Rusi, javën e kaluar është liruar dhe të martën dha betimin si deputete në parlamentin e Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).
Savchenko është zgjedhur për anëtare të Radës Supreme të Ukrainës në vitin 2014, ndërsa ajo ende ishte në paraburgim. Duke iu drjetuar anëtarëve të parlamentit, Savchenko tha se prioritet i saj do të jetë që të luftojë për lirimin e të gjithë ukrainasve në Rusi, të cilët Kievi zyrtar i konsideron si të burgosur politik.
"Absolutisht duhet të nxjerrim të gjithë të burgosurit", tha Savchenko si anëtare e partisë së ish-kryeministres ukrainase Julia Timoshenko, partia e së cilës në muajin shkurt doli nga koalicionin qeverisës.
Përfaqësuesja e Radës Supreme javën e kaluar deklaroi se ajo do të kandidojë edhe për presidente të Ukrainës, nëse populli dëshiron një gjë të tillë.
Në konferencën e parë për media pas kthimit në Ukrainë, Savchenko tha se më së shumti do të donte të kthehej në detyrën e pilotes ushtarake, por tha se me kënaqësi do të kandidonte për presidente të vendit, nëse këtë e duan ukrainasit.