Sibel Vezaj
22 korrik 2016•Përditësim: 23 korrik 2016
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot mori pjesë në mbledhjen e Qeverisë, në të cilën u miratua raporti gjashtëmujor i buxhetit të Kosovës për vitin 2016, raporton Anadolu Agency (AA).
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj ka vendosur që t’i ndajë 300 mijë euro për kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërimit të Nënë Terezës, ku pak kohë më parë, 5 shtatori ishte shpallur si Dita e Nënë Terezës në Kosovë. Mjetet e ndara priten të përdoren edhe për organizimin e një programi artistik në Vatikan, e cila do të organizohet me 3 shtator.
Sa i përket kësaj çështjeje, kryeministri Mustafa u shpreh se Ipeshkvia dhe fondacioni “Drita” kanë kërkuar rreth 600 mijë euro, por që është vendosur se 300 mijë euro janë të mjaftueshme.
Qeveria ndau 18 mijë euro për Shoqatën Ndërkomunale të të Verbërve nga qyteti i Pejës, dhe për botimin e alfabetit të Brailit. Gjithashtu nga qeveria janë ndarë 10 mijë euro për projektin “Atomi”, i cili ka të bëjë me qendrën për studime dhe shërbime psikologjike dhe sociale.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme po ashtu miratoi Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës.
Ndërkohë, përkundër këtyre vendimeve, Kryeministri Mustafa foli edhe për përdorimin e automjeteve publike, të cilat ai u shpreh se duhet të përdoren në mënyrë racionale, e jo për pushime. Kryeministri shtoi se tani në Kosovë ka një ecuri më të mirë të hyrave buxhetore dhe efikasitet më të lartë të institucioneve.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, u shpreh se të hyrat kanë shënuar rritje, dhe se kjo rritje është bërë nëpërmjet aktivitetit ekonomik, e jo nga taksat. Ai shtoi se nga tatimi për pronë komunat kanë pasur një rritje prej 16 përqind.