Sibel Vezaj
06 janar 2017•Përditësim: 07 janar 2017
PRISHTINË (AA) - Në hapjen e mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa tha se ndalimi i ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze, me një urdhër arrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004 është i motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai theksoi se këto fletarreste janë plotësisht të paligjshme, të padrejta, dhe me tendenca të qarta për të provokuar tensione, konflikte dhe për të dëmtuar proceset evropiane në rajon dhe me gjerë.
“Ne e kemi bërë të qartë që në momentet e para të ndalimit të z. Haradinaj se të gjitha dikasteret kompetente të Qeverisë janë duke u angazhuar me kapacitet të plotë dhe vazhdojnë të punojnë me prioritet të plotë për të kontribuar në çdo formë për lirimin sa më të shpejtë të z. Haradinajt, në mënyrë që ai sa më shpejtë të kthehet në Kosovë dhe t’i vazhdojë aktivitetet e tij”, tha Mustafa.
Kryeministri theksoi se aktet e ndalimit të Haradinaj janë të palejueshme, duke vënë në dukje se ai ka dëshmuar para drejtësisë ndërkombëtare, në dy raste pafajësinë e tij, dhe se është përballur edhe me ndalesa tjera të përkohshme të cilat e kanë konfirmuar se fletarrestet serbe nuk kanë asnjë bazë.
“Andaj ne presim që z. Haradinaj të kthehet shumë shpejtë në Kosovë dhe po ashtu presim që Qeveria franceze të ketë parasysh se këto fletarreste janë krejtësisht politike, pa asnjë bazë juridike dhe ligjore. Ndërkaq Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i vazhdojë angazhimet e gjithanshëm që aktakuzat e paligjme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë për personalitete kosovare të shpallen të pavlefshme”, tha Mustafa.
Ai po ashtu tha se do të shqyrtohen masat e veprimit në rast se Serbia do të vazdojë aktet e tilla ndaj luftëtarëve të lirisë së Kosovës dhe shtoi se do të vazhdojnë të kenë kontakte edhe me bashkësinë ndërkombëtare për parandalimin e veprimeve të tilla serbe.
Ndryshe, ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-udhëheqës i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, para dy ditëve u ndalua nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit, bazuar në një urdhër arresti të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Ai në vitin 2015 ishte arrestuar edhe në Slloveni dhe më pas është liruar.